Bota

Dëbora paralizon Turqinë e Greqinë, probleme me fluturimet, ushtria del në rrugë!

Një nga aeroportet me fluksin më të madh të fluturimeve në Evropë ai i Stambollit ka pezulluar fluturimet prej një stuhie të rëndë dëbore që ka mbuluar qytetin më të madh të Turqisë, si dhe Evropën juglindore.

Mbyllja e aeroportit të Stambollit, ku një nga terminalet u shemb prej peshës së dëborës, ka ndaluar fluturimet nga Lindja e Mesme dhe Afrika drejt Evropës e Azisë.

Zyrtarët thanë për rrjetin AFP se kjo është mbyllja e parë në aeroportin e ri modern që zëvendësoi më të vjetrin “Ataturk Airport” në 2019.

Ndërkohë dëbora e parë krijoi një atmosferë festive në sheshet e xhamitë e Stambollit, ku fëmijët përfituan më shumë ndërsa turistët bënin foto.

Ndalesat e fluturimeve kanë krijuar probleme për 16 milionë banorët e qytetit më të madh të vendit, ndërsa makinat përplaseshin me njëra-tjetrën në rrugë e autostrada.

Qendrat tregtare u mbyllën më herët ndërsa shpërndarjet e ushqimeve janë pezulluar, përveç shitësve ambulantë të “simiteve” që qëndronin në të zbrazura në dëborë.

Greqi 

Reshjet e dendura të dëborës dhe ulja e temperaturave kanë sjellë probleme të shumta në Greqi, ku qeveria ka nxjerrë në rrugë ushtrinë për të ndihmuar në hapjen e rrugëve dhe largimin e mijëra automjeteve të bllokuara në akset e periferisë të Athinës.

Ndonëse autoritetet kishin paralajmëruar banorët që të shmangin lëvizjet e panevojshme,sërish mijëra grekë dolën në rrugë me automjetet e tyre por pa zinxhirë ose goma dimërore, duke krijuar kaos në trafik.

Më herët ministri i emergjencave civile Kristos Stilianidhis, tha se pritet një natë e vështirë në zonën e Atikës, Evias dhe ishujve të Egjeut.

Ministria e mbrojtjes dërgoi qindra forca ushtarake për të çbllokuar arteriet kryesore, ndërsa mbrojta civile u bëri apel banorëve të qëndrojnë në shtepi pasi edhe gjatë 24 orëve të ardhshme situata pritet të jetë e njëjtë.

Autoritet vendosën që të martën të jenë të mbyllura të gjitha bizneset e zonave të prekura, ndërsa janë vënë në gadishmëri të plotë gjithë mekanizmat shtetëror.

Në Athinë u mbyllën shkollat zyra dhe institucione. Qeveria greke u ka bërë me dije punonjësve të administratës publike se për shkak të situatës së rënduar mund të mos shkojnë në punë gjatë ditës së martë.