Aktualitet

Dëborë e temperatura të ulëta në vend, ARRSH ka një apel!

Shirat intensivë të ditëve të fundit, nga sot do t’i lënë vendin kthjellimeve në territorin shqiptar, ndërsa temperaturat janë ulur ndjeshëm e variojnë nga -2 në 13 gradë celcius. Ndërsa masat siberiane i drejtohen Ballkanit, era e ftohtë verilindore bën që i ftohti të ndihet edhe më shumë. Sipas shërbimit MeteoAlb, era fryn me shpejtësi 60 km/h nga drejtimi verior-verilindor. Në brigjet detare do të krijohet dallgëzim 5 ballë.

Autoriteti Rrugor Shqiptar apelon që të gjithë drejtuesit e automjeteve të bëjnë kujdes e të pajisen me goma dimërore.

I bëjmë thirrje drejtuesve të mjeteve, të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë në të gjitha ato akse rrugore ku ka prezencë të dëborës, pasi nuk do të lejohet të kalojnë nga patrullat e Policisë Rrugore. Respektoni sinjalistikën rrugore, reduktoni shpejtësinë e ndiqni udhëzimet e Policisë Rrugore!

Verilindja e territorit është përfshirë nga temperaturat e ulëta dhe dëbora. Në zonat e thella të Dibrës, trashësia e saj arrin deri në 20 cm. Raportohet për mungesë të energjisë elektrike në disa fshatra, pasi nga moti i keq u këputën telat dhe u shembën shtyllat. Lura u izolua e qarkullimi u bllokua në Trebisht e po ashtu në disa fshatra të njësisë së Ostrenit.

Rruga Peshkopi-Kala e Dodës-Kukës kalohet me vështirësi, me zinxhirë e po kështu Peshkopi-Draj Reç-Kukës.

Në Kukës, dëbora ka bllokuar rrugën që lidh Arrënin me atë kombëtare.

Në Vlorë, dëbora ka zbardhur Llogaranë por ka ndërprerje të energjisë elektrike, për shkak të defekteve, si rezultat i kushteve të vështira atmosferike. Niveli i Vjosës arriti në 6.1 metra mbi nivelin e detit, pasi rreth mesnate kapi kuotën 6.7 metra, duke përmbytur pjesën e tregut të gjësë së gjallë. Gjithashtu, ka erë të fortë dhe det të trazuar, duke rrezikuar varkat e vogla e skafet turistike të ankoruara në molin e Radhimës, ku disa prej tyre janë mbushur me ujë e mund të mbyten e të përplasen me shkëmbinjtë.

Në Korçë, dëbora deri në 40 cm, ka bllokuar lëvizjen e banorëve dhe automjeteve, në fshatin Panarit. Ndërkaq, në Dardhë, duhen zinxhirë për makinat. Akset kombëtare mbahen të hapura, edhe falë borëpastrueseve e qarkullimi kryhet pa probleme.