Aktualitet

Dëborë në veri e juglindje, ARRSH: Pajisuni me goma dimërore e zinxhirë!

Ndërsa sot vendi ynë është përfshirë nga mot i paqëndrueshëm me vranësira, rreshje shiu e dëbore, si dhe ulje të temperaturave që variojnë nga 0 deri në 14 gradë Celcius, deri tani nuk raportohen probleme në qarkullim. Kjo vlen edhe për rrugët Bogë-Theth, Hani i Hotit-Vermosh e në Dardhë të Korçës.

Autoriteti Rrugor Shqiptar, ARRSH iu bën thirrje drejtuesve të automjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë udhëtimeve, të pajisen me goma dimërore e zinxhirë, si dhe të respektojnë sinjalistikën e të ndjekin udhëzimet e Policisë Rrugore.

Në njoftimin zyrtar të Autoritetit Rrugor thuhet:

Gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit në zonat malore kanë filluar reshjet e dëborës si në Dardhë, Bogë-Theth, Hani i Hotit-Vermosh, pa sjellë probleme për qarkullimin.

Kontraktorët me mjete e punëtorë janë në terren për të bërë pastrimin e akseve, shpërndarjen e kripës dhe për të mbajtur qarkullimin në normalitet.

Tregoni kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit në kohë me reshje, pajisuni me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtoni për në zonat malore, ulni shpejtësinë, respektoni sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.