Sport

Defibrilator në zemër për futbollistin Eriksen!

Futbollisti danez, Christian Eriksen, i cili luan dhe për Interin, duhet t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale për implantin e një defribilatori në zemër. Bëhet fjalë për një aparaturë që vendoset për të kontrolluar në vazhdimësi aktivitetin e zemrës, kryesisht duke ndërhyrë në rastet e përshpejtimit të ritmit.

Federata e Futbollit të Danimarkës:

Pajisja është e nevojshme në rastin e infarktit kardiak të shkaktuar nga një aritmi. Christian e pranoi zgjidhjen e sugjeruar nga specialistë në nivel kombëtar e ndërkombëtar, të gjithë pajtohen për të njëjtin trajtim.

Por çfarë do të ndodhë tani me Eriksen?

Pas tre apo katër javësh, lojtari do të vizitohet sërish për të kuptuar nëse defribilatorin duhet ta mbajë përkohësisht apo gjithnjë.

Ajo që ndodhi më 12 qershor me 29-vjeçarin tronditi botën e jo vetëm atë të futbollit. Eriksen humbi ndjenjat në fushën e lojës gjatë ndeshjes mes Danimarkës e Finlandës në Europianin e Futbollit.

Ai u rrëzua në Parken Stadium të Kopenhagenit, në minutën e 42-të të takimit. Mjekët ndërhynë menjëherë ndërsa shokët e skuadrës krijuan një kordon rreth futbollistit për ta mbrojtur nga fotot e videot. Për rreth dy orë, takimi Danimarkë-Finlandë u pezullua e me rikthimin në fushë, danezët u pritën me duartrokitje nga kundërshtarët. Gjithashtu, tifozët e të dyja skuadrave u bashkuan në kor, me thirrje në mbështetje të Eriksenit. Ndeshja përfundoi 1-0 për Finlandën.