Dëgjo live TOP ALBANIA RADIO
Dëgjo live TOP GOLD RADIO
Dëgjo live MY MUSIC RADIO
Voto në THE TOP LIST
Politikë Sociale

Dejavu PD-PPSH. Opinion nga Denis Dyrnjaja.

Dje PD zhvilloi Kuvendin Kombëtar. E gjithë sa pamë ishte një reminishencë e kongreseve të PPSH.

Ja disa elementë të ngjashëm. Kur Partia e Punës së Shqipërisë (PPSH) zhvillonte kongresin salla ishte e zbukuruar, delegatët vetëm brohorisnin udhëheqësit dhe fjalimet e tyre boshe plot lavde për qëndresën e partisë dhe sukseset e saj. Dhe dje në Kongresin e PD-së u duartrokitën udhëheqësit, fjalimet e tyre totalisht bosh dhe false dhe i bëhej jehonë humbjes në zgjedhje si fitore.

Udhëheqja e Partisë së Punës jetonte në luks dhe i kërkonte popullit sakrifica njësoj si lidershipi i PD-së sot që kanë vila e salltanete dhe i kërkon popullit demokrat të sakrifikojë për të mposhtur regjimin dhe oligarkët nga të cilët marrin vetë gjoba e bakshishe që arrijnë deri në qindra mijëra apo miliona euro.

Në PPSH zbuloheshin në mënyrë periodike armiq e tradhëtarë brenda partisë dhe komplotistë jashtë saj. Edhe në PD vijojnë të dalin tradhëtare e armiq që nuk i duan të mirën partisë dhe liderit të saj. Partia ndodhet gjithnjë në rreziqe komplotesh të ndërthurura nga brenda dhe jashtë. Ka dhe pak imperializëm amerikan brenda skenarit

Nën drejtimin e PPSH vendi shkonte në izolim e degradim në të gjitha drejtimet dhe realiteti përshkruhej si sukses e behej thirrje për kohezion e bashkim njësoj si në PD ku çdo gjë shkon keq e më keq por kërkohet bashkim rreth udhëheqjes që është pikërisht shkaktare e kësaj katastrofe politike.

Duartrokitje dje në PPSH, duartrokitje sot në PD. Trashëgimtarë dje e trashëgimtarë sot. Nga Enveri te Ramizi, nga Saliu te Lulzimi. Përpara për fitore të reja.