Aktualitet Politikë

Deklaratat e kryeministrit Rama për Dvoranin, reagime nga Presidenca dhe LSI!

Për deklaratat e kryeministrit Rama në Asamblenë Socialiste reagoi këshilltari i presidentit Meta. Tedi Blushi shkruan se “të gjithë shqiptarët mezi po presin të dinë se çfarë e mban peng “Dvoranin” e qeverisë tek Dvorani i “Drejtësisë?”. Më tej pyet: “Çfarë e detyron Ramën, Kampionin e Korrupsionit që e ktheu Shqipërinë në narkoshtet e të dytin në botë për korrupsionin, që të kthehet në Avokatin e Dvoranit?”. Sipas këshilltarit të Metës, “mbrojtja që i jepet Dvoranit në publik nga partia, është thirrja publike për organet e drejtësisë, që të mos shkelin vijën e saj në zbatimin e drejtësisë me regji, se përndryshe do kenë pasoja!”.

Të gjithë shqiptarët mezi po presin të dinë ÇFARË E MBAN PENG “Dvoranin” e Qeverisë tek Dvorani i “Drejtësisë”

Të gjithë shqiptarët e dinë se:

📌 1. Dvorani pengoi me çdo mjet, qëllimisht dhe për llogari vetëm të Ramës, ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, duke falsifikuar, manipuluar e shkelur Kushtetutën dhe ligjet e drejtësisë, vetëm e vetëm për të siguruar pandëshkueshmërinë e Ramës.

📌 2. Dvorani u provua zyrtarisht se fshehu pasurinë.

📌 3. Por Vettingu i partisë në mënyrë skandaloze dhe të paligjshme mbylli sytë për këtë fshehje të pasurisë dhe ky është fakt që nuk mbulohet dot kurrë.

📌 4. Shkeljet e Kushtetutës dhe ligjit për Dvoranin e partisë-shtet i vërtetoi botërisht edhe Komisioni i Venecias.

📌 5. Nëse do të ekzistonte vërtet Reforma në Drejtësi, Dvorani do të duhej të ishte i pari përpara drejtësisë për të marrë dënimin e merituar.
Të gjithë shqiptarët duan të dinë çfarë e detyron Ramën, Kampionin e Korrupsionit që e ktheu Shqipërinë një narkoshtet dhe të dytin në botë për korrupsionin, që të kthehet në Avokatin e Dvoranit?

Është e qartë, se mbrojtja që i jepet Dvoranit në publik nga partia, është thirrja publike për organet e drejtësisë që të mos shkelin vijën e partisë në zbatimin e drejtësisë me regji, se përndryshe do kenë pasoja.

Rama-Dvorani dhe Dvorani-Rama binomi i pandarë i antishtetit, dhunimit të Kushtetutës dhe ligjit, falsifikimit të dokumenteve zyrtarë dhe kapjes së shtetit për llogari të partisë.

Koha e “opozitarizmit” të tredhur nga korrupsioni qeveritar po skadon me shpejtësi. Çkapja e shtetit nis nga çkapja e opozitarizmit.

ASGJE NUK DO TA NDALË ZBARDHJEN E SKANDALEVE TË NARKOQEVERISË SADO TË GULÇOJË GRUAJA E BILALIT!

Një përgjigje për deklaratat e kryeministrit lidhur me Dvoranin e kishte edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, gjatë një takimi me gjimnazistë të Tiranës:

Rama e di që Dvorani ka një histori të fshehur. Rama me urdhër të tij dëmtoi një aksion që kapte në flagrancë Dvoranin në një aferë korruptive. Por, kjo nuk prishet sepse ekziston diku. Rama kërcënoi SPAK-un, por duhet të tërheqë të gjithë drejtorët që mos të rrinë poshtë pallateve të prokurorëve të SPAK-ut. Duhet të tërheqë të gjithë policët e korruptuar që prishin aksionet e policisë. Ajo që po ndodh në rajone me të rinjtë shqiptarë është e tmerrshme!