Bota Tech

Del në ankand SMS-ja e parë në botë, daton vitin 1992!

SMS-ja e parë në histori, del në ankand, si pronësi për një kopje unike, NFT. Ajo u transmetua nga Vodafone më 3 dhjetor 1992, përmes rrjetit të kompanisë dhe u prit nga Richard Jarvis, punonjës i kompanisë, gjatë një feste Krishtlindjesh.

SMS-ja përmbante vetëm 14 shkronja e në anglisht shkruhej urimi: “Merry Christmas”, (Gëzuar Krishtlindjen!).

Agjencia franceze “Aguttes” mendoi për të nxjerrë në ankant mesazhin dhe mësohet se blerësi do të jetë në gjendje të paguajë shumën përmes “Ethereum”, një prej kriptomonedhave më të njohura, bashkë me “Bitcoin”. Ankandi do të zhvillohet më 21 dhjetor e Vodafone ka menduar t’ia dhurojë të ardhurat nga shitja UNHCR-së, Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët.

Maximilien Aguttes, kreu i shtëpisë së ankandeve:

Libri i parë i printuar, telefonata e parë, emaili i parë: të gjitha këto shpikje kanë ndryshuar jetën tonë dhe komunikimin tonë në botë. Ky mesazh i parë me tekst, i marrë në vitin 1992 është një dëshmi historike e përparimit njerëzor dhe teknologjik. Ai transmetoi një mesazh gëzimi: Gëzuar Krishtlindjen!