Aktualitet

Denar Biba në krye të Autoritetit të Konkurrencës, debate për votimin!

Pak ditë pas OK-eit të Komisionit të Ekonomisë për t’u zgjedhur në krye të Autoritetit të Konkurrencës, ish-kreu i KQZ-së, Denar Biba merr besimin në seancë ku u zgjodh me 72 vota pro, duke zëvendësuar Luljana Latifin. Por, votimi nuk kaloi pa debate.

Partia Demokratike akuzoi strukturat e Kuvendit se kanë organizuar një votim të parregullt për kreun e ri të Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba.

PD pretendon se fletët e votimit nuk kanë firmat e përfaqësuesve të saj, si anëtarë të Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën, siç e përcakton rregullorja.

Ndërkohë, në seancën e sotme u miratua me 74 vota pro edhe marrja e 60 milion eurove kredi nga Banka e Zhvillimit të Këshillit të Europës për menaxhimin e pandemisë. Marrja e kësaj kredie u kritikua gjatë diskutimeve në Kuvend nga opozita, duke i kërkuar llogari qeverisë.

Ndërkaq, deputeti socialist, Erion Braçe kritikoi ashpër deputetët se 99% e tyre nuk respektojnë as rregullat më minimale të vendosura për të frenuar përhapjen e COVID-it.

Në unanimitet, deputetët e Kuvendit votuan për ratifikimin e memorandumit me SHBA lidhur me vendosjen e kufizimeve të importit të kategorive të materialeve arkeologjike dhe etnologjike të Shqipërisë.

Në fjalën e saj, Ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha se nëpërmjet kësaj marrëveshjeje do të luftohet trafikimi i objekteve të trashëgimisë kulturore, duke theksuar se do të kthehen në Shqipëri veprat e konfiskuara në SHBA.