Aktualitet

Dënimi i Tahirit, kryeministri Rama: “Nuk komentoj vendimet e gjykatës!”

Një ditë pasi ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri u dënua me 3.4 vite burg nga Gjykata e Posaçme e Apelit dhe u dërgua në paraburgimin e “313”-ës në Tiranë, kryeministri Rama shmangu komentet. Në një dalje për mediat në krah të kryediplomates Olta Xhaçka lidhur me zhvillimet në Ukrainë, Rama u shpreh se “nuk komenton vendimet e gjykatave”.

Unë nuk komentoj vendimet e gjykatës. E kam ditur mirë se çfarë kam bërë kur kam udhëhequr Reformën në Drejtësi dhe njëqind herë të kthehesha mbrapsht, një njëqind herë do bëja të njëjtën gjë!

Në të parin proces nga drejtësia e reformuar ndaj një ish-zyrtari të lartë, Saimir Tahiri u dënua dje me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” dhe iu rrëzuan akuzat për trafik droge në kuadër të dosjes Habilaj. Pas dhënies së vendimit, akuza firmosi urdhër-arrestin. Më pas, ish-ministri doli me pranga në duar për në mjediset e “313”-ës e kaloi natën e parë në këtë burg të sigurisë së zakonshme në kryeqytet.

Për Tahirin, një proces gjyqësor 5-vjeçar përfundoi dje me të njëjtin dënim, për të njëjtën akuzë, por tanimë si i burgosur dhe pa konvertim në shërbim prove. Tashmë pritet rekursi në Gjykatën e Lartë. Ligji parashikon që të bëhet brenda 45 ditëve duke nisur nga ajo e dhënies së vendimit. Atij vendimi që për ish-ministrin “është thjesht padrejtësi”.

Moralisht jam i qetë! Nuk kam shkelur ligjin, kam bërë detyrën si më mirë çmunda!

E ndërsa kryeministri Rama u përmbajt nga komentet për një vendim të dhënë nga gjykata, kryedemokrati Basha e quajti “dëshmi për vërtetësinë e akuzave të Partisë Demokratike lidhur me përfshirjen e ish-ministrit të Brendshëm, Tahiri në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike”.

Në vjeshtë të 2017-ës, 6 muaj pas fitores së mandatit të dytë qeverisës nga socialistët, shpërthyen akuzat për trafik droge kundër Tahirit. Organet e atëhershme të Drejtësisë në Shqipëri u vunë në dijeni nga Prokuroria e Katanias se në përgjimet e bisedave të trafikantëve të drogës, anëtarë të një organizate kriminale shqiptare që vepronte edhe në Itali, u përmend edhe emri i ish-ministrit Tahiri. Në Tiranë, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi arrestimin e tij.