Politikë

Denoncimet për “14 majin”, Noka: Provë për SPAK, një mundësi që të dalë nga “xhepi i qeverisë”

Deputeti demokrat, Flamur Noka, ka përfunduar denoncimin e tij në SPAK për manipulim të procesit të procesit zgjedhor, e ndërsa përballë gazetarëve, tha se vizitat e tij në Prokurorinë e Posaçme do jenë të shpeshta sepse ka shumë për të për denoncuar.

Në një kohë kur “Rithemelimi” ka hedhur akuza të ashpra mbi SPAK duke e cilësuar si “organ të qeverisë”, Noka tha se këto denoncime për procesin zgjedhor të 14 majit do të jenë një provë për ta. Për Nokën, këtu mund të kuptohet mjaft mirë nëse SPAK është një organ i pavarur siç pretendohet të jetë, apo është “nën sqetullën e qeverisë”.

“Do të denoncojmë përditë farsën elektorale dhe manipulimin e deformimit të vullnetit të shqiptarëve. Janë shumë kallëzime, do më shihni shpesh në këto dyer, se kam detyrën që t’i qëndroj përballë këtij regjimi për të denoncuar çdo batërdi. E kemi akuzuar dhe do vazhdojmë ta akuzojmë SPKA, është organi i drejtësisë, kanë një mundësi për të dalë jashtë xhepit të qeverisë, kjo është një provë a janë në xhepin e qeverisë apo janë nën sqetullat e qeverisë”, tha Noka.