Aktualitet

Deputeti Braçe: Paratë e krimit, pastrohen përmes kriptomonedhave!

Nga foltorja e Kuvendit, deputeti socialist, Erion Braçe ka ngritur shqetësimin se paratë e krimit të organizuar dhe korrupsionit po pastrohen në Tiranë nëpërmjet kriptomonedhave. Braçe tha se “po kërcënohet stabiliteti financiar i vendit, për këtë arsye i ka thirrje të gjitha institucioneve që të bashkëpunojnë për të luftuar krimin”.

Informaliteti është një problem i madh, nuk zbehet, por sforcohet dhe informaliteti bën dëm shumë të madh. Para informalitetit, institucionet nuk duhet të bëjnë pas!  Institucionet bëjnë faj nëse nuk ndërhyjnë. Më 2016-2017 u ngrit shqetësimi i disa kompanive që merreshin me FOREX që hynin në tregun e kapitaleve dhe përmes mashtrimit arrinin të grumbullonin shumë të mëdha parash. Mbeti vetëm letërkëmbim i institucioneve, kjo solli që ky rrjet u fuqizua shumë, u shtuan kompanitë aq sa filluan që të grabisnin deri në Gjermani, prej andej nga erdhi njoftimi për këtë aktivitet kriminal këtu, jo prej agjencive ligjzbatuese këtu. Kërkoj me forcë e të vendoset në rezolutë bashkëpunimi i të gjitha agjencive që të goditet ky aktivitet kriminal.

Aktiviteti i kriptomonedhave është shqetësimi i dytë, ne kemi miratuar bazën ligjore, por nuk ka asnjë qoftë monedhë apo sipërmarrje të licencuar, ndërkohë vetëm dy ditë pas mbledhjes së komisionit, na dëshmoi që aktiviteti ishte i hapur përmes Exchange, madje i lidhur me aktivitete të tjera kriminale që nga mashtrimi dhe mashtrimi me kartëmonedha të huaja, po edhe me tregtimin e kriptomonedhave.

E verifikuar dhe pastrimi i parave përmes kriptomonedhave në një xhiro nga Londra në Tiranë,  natyrisht AMF mbikëqyr kompanitë e licencuar, por çfarë do bëjmë, do bëjmë hapa pas?  Unë mendoj që kur kërcënohet stabiliteti financiar institucionet duhen bërë njësh. Eshtë e qartë që teknologjia është avangardë, është risi, po krimi nuk është. Paratë e krimit organizuar dhe korrupsionit, po pastrohen përmes kriptomonedhave, arritjet i duartrokas, por ka probleme që duhet të përballemi dhe jo vetëm duke ndryshuar ligjin. Bashkëpunoni dhe godisni krimin!