Sport

Derbi i “çmendur”, bardheblutë triumfojnë në shtesë ndaj Partizanit!

Tirana fiton 1-2, atë që padyshim është derbi më i gjatë me 102 minuta lojë pas shtesave të panumërta si pasojë e ndërprerjeve të vazhdueshme. Një derbi që është vendosur me një gol në minutën e 100-të, duke i dhënë bardhebluve shtysën drejt titullit kampion.

Sfida e sotme ka qenë mjaft emocionuese, edhe pse ndërprerjet e vazhdueshme për situata në tribuna e ndaluan disi spektaklin në fushën e lojës dhe atë që mund të prodhonin ekipet. Tirana kaloi në avantazh dhe pastaj i lëshoi pak terren Partizanit. Të kuqtë konfirmuan vështirësitë në fazën ofensive dhe për të gjetur barazimin iu desh një penallti, për më tepër e përsëritur, e Stenio Zhunior. Por Tirana reagoi, insistoi dhe në shtesën prej 12 minutash gjeti edhe hapësirën për të gjetur golin e fitores me Xhixhën.

Java e 15 prodhoi rezultate surprizë, siç ishte fitorja e Egnatias në ‘Elbasan Arena” përballë Teutës, ndërsa Skënderbeu e Kukësi ndalën Dinamon e Vllazninë në transfertat përkatëse, duke u marrë nga një pikë.

Konfirmohet pretendent për titull edhe Laçi, që mori fitoren e 6 radhazi dhe u ngjit në vendin e tretë, me vetëm 6 pikë më pak se Tirana kryesuese, teksa viti i ardhshëm premton të jetë shumë i luftuar dhe emocionues në të gjithë sfidat dhe për të gjithë pozicionet në renditje.