Sport

Derbi mbyllet në paqe, gara për titull mbetet e hapur

Mbyllet pa fitues derbi i katërt sezonal i kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit. Kreu i klasifikimit mbetet bardheblu, me skuadrën e Orges Shehit që mbetet në vendin e parë dhe ruan diferencën prej 2 pikësh.

Të besuarit e Giovanni Colella kaluan në avantazh me golin e Victor Da Silva në pjesën e dytë. Festa e “demave” u ndal nga Ardit Deliu, i cili me një gol të bukur nga distanca i dha një pikë bardhebluve. Në praninë e më shumë se 15 mijë tifozëve, derbi i kryeqytetit prodhoi emocione, raste, nerva dhe tension.

Mundësia e parë e rrezikshme u krijua nga Tirana, që në minutën e shtatë pati mundësinë për të kaluar në avantazh me Berishën, por goditja e tij shkoi jashtë. 10 minuta më vonë Rrapaj tentoi të zgjidhë gjithçka vetë, duke kaluar dy kundërshtarë e duke provuar nga distance, por as mesfushori i të kuqve nuk ishte i saktë.

Minutat në vijim ishin më të mira për bardheblutë, që tentuan me Najdovskin dhe më pas me Deliun, por në të dyja situatat nuk pati rezultat.

Minutat e fundit të pjesës së parë ishin mjaft dinamike, teksa fillimisht Tirana pretendoi për 11-metërsh. Haxhiu harkoi nga e djathta, por topi u devijua nga Telushi. Rasti përfundoi në lupën e VAR që pas disa momentesh sinjalizoi kryesorin Cjapi se loja ishte e rregullt.