Lajmet e fundit Sport

Derbi, një betejë më vete edhe për strategjinë e trajnerëve, flasin Shehi e Daja! 

Siç është traditë trajnerët e skuadrave komentojnë situatën e skuadrave respektive para ndeshjeve. Tekniku që drejton Tiranën, Orges Shehi:

Dihet rëndësia që ka derbi. Eshtë një ndeshje që ka impakt te të gjithë, tifozerinë dhe lojtarët. Rëndësia është të marrim tre pikë në këtë fillim sezoni dhe kemi gjithë grupin gati!

Tifozët? Rëndësia e tyre për ne dihet dhe i falenderoj! Do bëjmë maksimumin për të kënaqur këdo. Nuk ka sfida personale, këto janë kolektive. Do mundohemi të marrim fitoren dhe për objektivin tonë. Nuk ka ndikim klasifikimi. Në ndeshje të tilla zerohet gjithçka, sikur luhet java e parë e sezonit, pa rëndësi për tabelën.

Vijmë nga një fitore me kampionët, duhet të jemi të qetë të kontrollojmë emocionet sepse na dëmtojnë. Kam marrë përgjigje me vepra në stërvitje dhe jo me fjalë. Skuadra është e motivuar, pavarësisht kundërshtarit.

Partizani ka lojtarë kualitativ, jam i fokusuar te ekipi im dhe me punën e duhur besoj se do dalim fitimtarë nga kjo betejë!

Ndërsa trajneri i Partizanit, Ilir Daja u shpreh:

Përtej pikëve të lëna, atmosfera është e mirë pasi derbi është një ndeshje që i motivon lojtarët. Kemi disa mungesa të formacionit ku do të veçoja Kaçen, Cardozon e Carën, që kanë qenë në formacion gjatë këtyre javëve. Camara ka lëvizuar jashtë Shqipërisë për procedurat që do të thotë se reparti që na mungon më shumë është sulmi. Kjo nuk do të thotë asgjë pasi derbi është një ndeshje për t’u fituar dhe nuk ka justifikime, pasi çdo lojtar që do të luajë do të japë maksimumin. Ne pretendojmë për të marrë fitoren e parë e këtë gjë duam ta bëjmë në derbi. Kush fiton në derbi ka një avantazh të madh nga ana psikologjike, por ka ende shumë javë për t’u luajtur. Në objektivat afatshkurtër do të jetë një pikë kthesë, por në ato afatgjata nuk ndryshon gjë pasi ka edhe tre derbi të tjerë. Në derbi prodhojmë pak spektakël, por nuk do të futemi në fushë për barazim, por vetëm për fitore.

Tifozët?

Ne e kemi të qartë që ndeshjet luhen për tifozët dhe çdo trajner e do stadiumin plot. Duhet të jemi edhe realistë për situatën pasi një stadium plot mund të agravojë më shumë situatën dhe këtë gjë e dijnë më mirë ekspertët e shendetësisë.

Aspekti psikologjik?

Derbi është një ndeshje për t’u luajtur dhe për t’u fituar. Mendoj që derbi ka një pjesë tjetër të menaxhimit të dozës emocionale e për këtë arsye kemi punuar më shumë. Në këto raste, logjika del në plan të dytë e prandaj kemi punuar më shumë në këtë aspekt.