Bota

Dërgimi i tankeve “Leopard 2” në Ukrainë, rritet presioni mbi Gjermaninë!

Ukraina hedh poshtë pretendimet e Rusisë se trupat ruse morën kontrollin e Soledarit, pas disa javësh luftimesh intensive. Moska njoftoi se pushtoi qytetin e rëndësishëm strategjik të minierave të kripës. Ditët e fundit, ka patur raportime kontradiktore se kush e kontrollon qytetin, por pretendimi rus nuk mund të konfirmohet në mënyrë të pavarur.

Lidhur me diskutimet mbi rëndësinë e Soledarit, Kievi e Uashingtoni vlerësojnë se tashmë zona është shkatërruar pas disa javësh luftime dhe nuk është më mjaftueshëm e rëndësishme sa për ta kthyer luftën në favor të Moskës. Forcat e armatosura të Ukrainës thonë se po e mbajnë situatën nën kontroll në kushte të vështira.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz bën thirrje për maturi në debatin për dërgimin e tankeve “Leopard 2” në Ukrainë. Sipas tij, “nevoja për të thënë diçka çdo 10 minuta nuk duhet të çojë në vendime që lidhen me luftën dhe paqen”. Qeveria ukrainase ka lobuar te aleatët për të siguruar tanke moderne si “Leopard 2” i prodhimit gjerman, por Berlini heziton për dërgimin e armëve të rënda në Ukrainë, që të përdoren në operacionet kundër Rusisë.

Polonia dhe Finlanda deklaruan se janë të gatshme t’i dorëzojnë Ukrainës tanket “Leopard 2”. Berlini ka licensën e eksportit, çka do të thotë se po rritet presioni mbi Scholz-in. Po ashtu Franca.

Në një tjetër zhvillim, gazsjellësi që lidh Lituaninë dhe Letoninë u godit nga një shpërthim, por nuk ka prova të menjëhershme për një sulm. Një video e publikuar nga mediat tregon zjarrin në qarkun Panevezys në veri të Lituanisë. Pas ndërhyrjes së autoriteteve përkatëse, zjarri u shua dhe furnizimi me gaz u ndërpre.

Shpërthimi dëmtoi njërin nga dy tubacionet paralele që dërgojnë gaz nga Lituania në Letoni, por po punohet që të rikthehet furnizimi. Ashtu si Ukraina, vend i dëmtuar nga lufta e Moskës, Lituania kufizohet me Rusinë dhe ndodhet në Detin Baltik, ku tubacionet e gazsjellësit Rjedha e Veriut, Rusi-Gjermani, u shkatërruan nga shpërthimet e vitit të kaluar.