Bota

Deri tani thuhej se nuk sjell fatalitete, por Britania konfirmon vdekjen e parë nga varianti Omicron i koronavirusit!

Të paktën një person në Britaninë e Madhe ka vdekur nga varianti Omicron i COVID-19. Konfirmimi zyrtar vjen nga kryeministri Boris Johnson. Duke folur gjatë një vizite në një klinikë vaksinimi pranë Paddington-it, në perëndim të Londrës, Johnson deklaroi:

Për fat të keq, po! Omicron po shkakton shtrime në spital dhe të paktën një pacient konfirmohet se ka vdekur. Unë mendoj se ideja se ky është disi një version më i butë i virusit duhet parë me vëmendje dhe gjëja më e mirë që mund të bëjmë është që të gjithë, të marrin dozën përforcuese të vaksinës!

Një ditë më parë, Johnson njoftoi për rritje të shtuar të vaksinimit me dozën e tretë të vaksinës kundër COVID-19/ës, që qytetarët të mbrohen nga përhapja e varantit të ri, Omicron. Sipas tij, “vendi mund të përballet me valë të jashtëzakonshme të infektimeve nga ky variant”.

Çdo personi që ka mbushur 18-vjeç do t’i ofrohet mundësia të vaksinohet me dozën e tretë deri në fund të dhjetorit.

Më herët, synim kryesor i qeverisë për vaksinim masiv me dozën e tretë, ishte fundi i janarit 2022. Fjalimi i djeshëm i shefit të qeverisë së Londrës pati efekt, duke nxitur qytetarët të regjistrohen për të prenotuar dozën e tretë, çka çoi në bllokim të përkohshëm të faqes në internet të NHS-së, Shërbimit Kombëtar Shëndetësor, (NHS).

Shkencëtarët britanikë besojnë se vaksinat ekzistuese janë më pak efektive në parandalimin e infektimit te njerëzit e ekspozuar ndaj Omicron-it. Disa studime paraprake treguan që efektiviteti i vaksinës shtohet nga 70 në 75%, pas dozës së tretë. Një ditë më parë, Londra zyrtare ngriti nivelin e rrezikut nga përhapja e koronavirusit, për shkak të variantit Omicron, që përhapet me shpejtësi dhe për herë të parë u evidentua në Afrikën e Jugut.