Bota

Dështuan të paguanin në rubla, Rusia i ndërpret gazin Polonisë e Bullgarisë!

Gazpromi rus vendosi të ndërpresë plotësisht furnizimin me gaz të Polonisë e Bullgarisë, për shkak se të dy vendet nuk e bënë pagesën në rubla dhe dje ishte afati i fundit. Kjo u reflektua menjëherë me rritje të çmimit të gazit, sot në Europë. Një këshilltar i presidentit Zelensky nuk përjashtoi mundësinë që lufta në Ukrainë të zgjasë deri në fillim të vitit të ardhshëm.

Presidenti rus, Putin ka bërë të qartë se “ndonëse bisedimet e paqes vazhdojnë, pa një marrëveshje për Krimenë e Donbasin, e pamundur të firmosen garanci sigurie për Ukrainën”. Shefi i Kremlinit ia theksoi qëndrimin, Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Guterres.

Administrata Biden është e hapur për një marrëveshje paqeje mes Kievit e Moskës, që ta tregojë Ukrainën si komb “neutral” dhe jo në Aleancë. Qëndrimin e shprehu Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Ai tha se “nëse Ukraina vendos për një marrëveshje që do t’i jepte fund aspiratave atlantike, “Shtetet e Bashkuara do të respektonin zgjedhjen”. “Vendimet i përkasin Kievit”, – deklaroi kryediplomati i Uashingtonit, Blinken.

Forcat e armatosura ukrainase goditën pozicionet ruse te ishulli i Gjarpërinjve duke shkatërruar edhe sistemin raketor antiajror Strela-10. Lajmin e jep ushtria ukrainase. Në një tjetër zhvillim, Shtëpia e Bardhë përshëndeti vendimin gjerman për të dërguar armë në Ukrainë.
Gjithashtu, Shtëpia e Bardhë zgjodhi të evidentojë njoftimin e qeverisë britanike për të përforcuar Ukrainën me sisteme antiajrore, si dhe lajmërimin e Kanadasë, për të dërguar automjete të blinduara. Paralelisht me këto zhvillime, Departamenti Amerikan i Shtetit shprehu shqetësimet për tensionet në rajonin separatist rus Transinistri të Moldavisë, pranë kufirit me Ukrainën.

Referuar Moldavisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës thanë se “po e ndjekin nga afër situatën”. Zëdhënësi Ned Price u shpreh: “Ritheksojmë apelin e qeverisë moldave për qetësi, si përgjigje ndaj këtyre incidenteve e shprehim mbështetje të plotë për integritetin territorial e sovranitetin e Moldavisë! Respektojmë neutralitetin e garantuar në Kushtetutë. Nuk i dimë të gjitha detajet, me përjashtim të atyre që ndodhën të hënën, por jemi të shqetësuar nga mundësia e përshkallëzimit të mëtejshëm të tensioneve”.

Ndërkaq, Moldavia thërriti mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Për presidentin ukrainas Zelensky, “me Moskën në Çernobil, bota është në prag të një katastrofe”. Sipas tij, “për ushtrinë ruse, zona e Çernobilit dhe centrali bërthamor ishin si një fushëbetejë normale, një territor ku nuk kishin pse të shqetësoheshin për sigurinë bërthamore”.