Një ditë pas aksidentit tronditës në Tiranë, ku te vizat e bardha pranë pallateve Delijorgji u përplasën nga një makinë, raportohet se paraqitet e qëndrushme gjendja shëndetësore e çiftit të bashkëshortëve Vilma e Arjan Konomi, respektivisht mjeke pediatre dhe zyrtar në Ministrinë e Arsimit. Raportohet se ata dolën nga terapia intensive në Spitalin e Traumës ndërsa foshnja e tyre që ishte në karrocë la spitalin, fatmirësisht pa dëmtime dhe u mor nga familjarët e të lënduarve që të zhvendosur në pavion, po trajtohen për politraumë. Mësohet se kanë dëmtime të shumta në trup.
Drejtuesi i automjetit tip “G Class” me targa gjermane që shkaktoi aksidentin e frikshëm rrugor te Rruga e Kavajës, Ajas Sulejmani, rezulton 8 herë i gjobitur për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, por jo pa leje drejtimi. Patenta iu pezullua dje, për 24 muaj ndërsa nga testi policor, rezultoi nën efektin e lëndëve narkotike.
Lejen e drejtimit e kishte marrë para 6 vjetësh në Tepelenë, (Gjirokastër) Kategoria B. Pas aksidentit, Sulejmani doli nga makina me duart në kokë dhe u rikthye për të nxjerrë nga sedilja vajzën e tij të vogël dhe me të në krahë u largua përmes rrugicave. Më tej, i shoqëruar nga një tjetër automjet, 38-vjeçari iu drejtua një spitali privat për të kontrolluar të bijën nëse kishte marrë dëmtime nga aksidenti. Në mjediset e spitalit privat në kryeqytet u bë edhe arrestimi i Sulejmanit.
Sulejmeni ka deklaruar se nuk është dakord me konstatimin e policisë që renditi si shkelje: shkelje semafori, aksidentim të këmbësorëve, mosdhënie ndihme për të aksidentuarit, largim nga vendi i aksidentit pa njoftuar organet kompetente dhe drejtim mjeti nen efektin e narkotikeve. Po ashtu, atij i janë hequr pesë pikë nga patenta.
Ajas Sulejmani është emër i njohur për drejtësinë në Shqipëri e jashtë vendit, për shkelje të dispozitave të Kodit Rrugor, si dhe trafik narkotikësh. Për aksidentin e djeshëm, krahas heqjes së patetentës për dy vjet, iu vu edhe gjobë në vlerë 105 mijë lekë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, kërkoi reflektim të menjëhershëm e gjithashtu urdhëroi ngritjen e një grupi inspektimi nga Departamenti i Sigurisë Publike, “për të kontrolluar, analizuar, evidentuar mangësitë, si dhe për të marrë masa konkrete ndëshkimore, për personat përgjegjës për aksidentet rrugore të ndodhura apo për rezultate të dobëta në punë”.
Në kontrollet e orëve të fundit, në Tiranë u pezulluan 79 leje drejtimi: 39 për shpejtësi, 29 drejtues në timon nën efektin e alkoolit apo të dehur. Me moton “Karroca e jetës”, për sot në orën 18:00 është thirrur një tubim paqësor në sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet.