Aktualitet

Detaje nga plagosja në Kavajë, autori i dyshuar flet nga arratia (video)

Dalin detaje të reja mbi plagosjen e djeshme me armë zjarri të Sekretarit të Degës së PD-së në Kavajë, Bledi Okshtuni. Policia ka shpallur në kërkim autorin Ndriçim Jonuzi (i njohur edhe me mbiemrin Tahiri) dhe dy shokët e tij Markel Shtylla e Dorian Troplini. Të tre personat janë në kërkim “Për plagosje të rëndë me dashje”.

Duke folur nga arratia, Jonuzi pretendoi se gjithçka ndodhi nuk ka të bëjë me politikën por për shkak se sipas tij personat me të cilët u konfliktua i kishin zënë rrugën një nënë me shami dhe pasi iu kërkoi llogari, ata u sollën në mënyrë arrogante.

Kryeministri Rama reagoi për ngjarjen e Kavajës. Në një mesazh në Twitter shkruan:

Eshtë krejt e qartë që ngjarja e Kavajës s’ka asnjë motiv politik! Autori s’ka asnjë lidhje me PS-në, përkundrazi është militant i PD! PD s’ka faj për ngjarjen po për politizimin skandaloz! Lulëzim bëhu burrë, ndahu nga Iliri e Saliu, boll bëre kukullën e të paudhëve pa din e iman!

Partia Demokratike publikoi një foto ku Ndriçim Jonuzi shfaqet në shoqërinë e kryetarit të Bashkisë Kavajë, Redian Krali dhe dy personave të tjerë të shpallur në kërkim për ngjarjen, Markel Shtylla e Dorian Troplini.

Në reagimin e PD-së thuhet:

Edi Rama merret me gënjeshtra dhe manipulime, ndërkohë që dhunuesit nuk janë arrestuar akoma! Asnjë gënjeshtër nuk e ndihmon dot Ramën, sepse të gjitha faktet dëshmojnë se sulmuesit e djeshëm janë njerëzit e tij dhe kanë vepruar me qëllim. Ky është një sulm kriminal kundër demokracisë sonë nga një njeri që tashmë e di se do t’i humbë zgjedhjet. Të dielën ne do të fitojmë dhe do të sjellim ndryshimin, për të cilin Shqipëria ka nevojë!

Ndërkaq, kryebashkiaku i Kavajës, Redjan Krali pezulloi nga detyra Markel Shtyllën si shef i Policisë Bashkiake Kavajë, si dhe Dorian Troplinin si efektiv të kësaj policie.

Një ditë më parë, Opozita e presidenti Ilir Meta hodhën akuza se ngjarja e Kavajës ishte sulm për arsye politike.