Celebrities Live From Tirana

Detektivja private Shkenda Lili: “Nuk është tradhëtia arsyeja kryesore e divorcit”

Sot në emisionin “Live from Tirana” për të folur rreth tradhëtisë së ditëve të sotme ishte e ftuar në studio detektivja private, Shkenda Lili. Për më shumë rreth punës së saj delikate ajo na tregon…

Në fillimet e mia kanë qenë klientet femra që vinin. Tani edhe meshkujt janë bërë “open mind”. Së pari vijnë klientët, më pasqyrojnë problemin dhe më pas nis hetimi. Marrim informacion të personit që kemi në subjekt. Në zyrën time vijnë pafund raste të tradhëtisë, të adoleshentëve nëse kanë marrë rrugë të keqe. Të gjitha çështjet i kam ndjekur vetë. Nuk jam zbuluar deri më tani. Unë mbledh prova, ndjek objektin ku shkon, që kur del nga shtëpia deri kur kthehet në shtëpi, e monitorojmë me foto e video vetëm në ambjente publike. Fillimi ka qenë i vështirë sepse u përfshija, tani jam mësuar dhe nuk më bën më përshtypje. Klientet femra janë delikate kur zbulojnë të vërtetën dhe mundohem të luaj edhe rolin e psikologut.

Përcellja e të vërtetës duhet të bëhet me delikatesë sepse ka edhe njerëz të dobët. Unë dorëzoj provat dhe puna ime mbaron aty. Më pas mund t’i pyes a kanë shkuar në divorc apo janë bashkë. Për tradhëti nuk më ka rezultuar të shkojnë në divorc. Unë mendoj që nuk është tradhëtia arsyeja kryesore. Varfëria dhe dhuna janë çështje që shkohet në divorc, ndërsa për tradhëtinë ne shqiptarët, pjesa dërrmuese edhe falim. Jo të gjitha rastet e mia që kam vërtetuar që ka patur tradhëti kanë shkuar në divorc. Nëse ke një familje dhe ke fëmijë në mes, bashkëshorti është i aftë për të manipuluar. Gratë në Shqipëri jo të gjitha janë të zonjat e vetes, varen nga partnerët e tyre, nuk janë të afta të rrisin fëmijët vetë dhe nuk shkojnë në divorc.