Aktualitet

Detyrim për vaksinimin e deputetëve kundër COVID-it!

Brenda një afati kohor, deputetët duhet të jenë të vaksinuar kundër COVID-it, në të kundërtën, ndalohen të hyjnë në Kuvendin e Shqipërisë. Propozimi i kryetarit të grupit socialist, Taulant Balla në Konferencën e Kryetarëve, gjeti dakordësinë e opozitës dhe u miratua me vota unanime.

Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve që i parapriu seancës plenare, pati debate. Palët u përplasën lidhur me vendimin për mbajtjen online të mbledhjeve të Komisioneve Parlamentare.

Opozita kundërshton zhvillimin e tyre online ndërsa maxhoranca e përkrah idenë e thekson se është sugjerim i Komitetit Teknik të Ekspertëve në kuadër të masave anti-COVID. Për demokratët, kjo cilësohet taktikë që t’iu mbyllin gojën.

Kryetari i grupit Alfred Rushaj, si dhe deputetët Jorida Tabaku e Enkelejd Alibeaj thanë se “është e papranueshme që ndërsa qeveria mban mbledhje në prani fizike e gjithashtu në vend ka koncerte, iu kërkohet deputetëve që mbledhjet e komisioneve të jenë online”.

Po në kampin opozitar, deputeti demokrat, Tritan Shehu hodhi idenë e bojkotimit të këtyre komisioneve, por në një prononcim jashtë Parlamentit, numri dy i PD-së, Gazment Bardhi tha se ishte një mendim personal, ende nuk është marrë një vendim, që pritet nesër.

Ndërkaq, kreu i grupit socialist, Taulant  Balla, ripërsëriti vendosmërinë e maxhorancës për të respektuar të gjitha masat anti-COVID.

Një pjesë e mbledhjeve të komisioneve parlamentare do të zhvillohen online, ndërsa ato më të rëndësishme, në sallat e mëdha të zyrave të Kuvendit. U ra dakord me opozitën për rritjen e numrit të Komisioneve të Përhershme Parlamentare nga 8, në 12. Kjo do ta bëjë më efektive punën e anëtarëve të komisioneve, por është një propozim që sërish po diskutohet.

Ne sot kemi rënë dakord me Rushajn, të fillojmë punën për disa ndryshime në rregulloren e Kuvendit. Propozimi im është që 8 komisione janë shumë pak për të kryer një punë efektive, mund të shkojmë në 12 komisione të përhershme parlamentare, do bënte më efektive punën e anëtarëve të komisioneve. Ky është propozim. Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese ka fushë veprimi shumë të madhe e mund të ndahej. Kam marrë dakordësinë edhe të opozitës e mendoj që Kuvendi ka hyrë në atë normalitetin e vet dhe opozitës dua t’i them që edhe mënyra e zhvillimit të mbledhjes së komisioneve është një diskutim që do e zhvillojmë në vijim.

Ndërkohë, sot u miratua përbërja e Komisioneve të Përhershme Parlamentare, pjesë e të cilëve do të jenë edhe deputetët e LSI-së, Erisa Xhixho, Agron Çela e Petrit Vasili.