Aktualitet Sociale

Detyrimet për 2005-2010, protestë e personave me aftësi të kufizuar në Durrës!

Për të disatën herë, personat me aftësi të kufizuar dhe kujdestarët e tyre kanë protestuar para Bashkisë së Durrësit për detyrimet e pashlyera për periudhën e viteve 2005-2010. Një pjesë e mirë e tyre e kanë fituar me gjyq të drejtën e përfitimit të detyrimit financiar e që rrjedh për shkak të indeksimit të gabuar të pagesave të invaliditetit dhe kujdestarisë në atë periudhë.

Por, Bashkia e Durrësit nuk ka ekzekutuar vendimet, bazuar në ligjin për ndihmën ekonomike dhe shërbimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë. Sipas përfaqësuesit të tyre, Sokol Murataj, borxhi nuk e kalon shumën 170 mijë lekë, ndonëse dhënia e parave që u takon me ligj u mohohet prej vitesh pa të drejtë.

Protestuesit tentuan që të futen në Bashkinë e Durrësit për të marrë një reagim nga drejtuesit e saj. Situata e krijuar ka çuar në realizimin e një takimi me kryetaren e Bashkisë, Emiriana Sako, e cila u ka kërkuar që të dorëzojnë vendimet e gjykatës dhe më pas përmes ministrisë përkatëse, institucioni që ajo drejton do të kërkojë lëvrimin e fondit për shlyerjen e këtij detyrimi të mbartur ndër vite.

Janë rreth 1 mijë persona me aftësi të kufizuar në Durrës që kërkojnë shlyerjen e këtij detyrimi. Ndërkaq, në të gjithë vendin, shumë prej tyre i janë drejtuar gjykatave për të përfituar indeksimin e pensionit të invaliditetit. Megjithatë, edhe kur gjykatat u kanë dhënë të drejtë, vetëm disa bashki i kanë shlyer këto detyrime që ua njeh statusi i personave me aftësi të kufizuar. Bashkia e Durrësit ende jo, duke rënduar më tej gjendjen ekonomike të kësaj kategorie vulnerabël të shoqërisë.

Familjarët e personave me aftësi të kufizuar vënë në dukje se jetojnë në kushte të vështira dhe po përballen me pamundësinë për të plotësuar edhe nevojat jetike, ndërsa çmimet e ushqimeve e të produkteve higjenike janë rritur ndjeshëm.