Aktualitet

Devijimi i rrugës në Rinas, banorët në protestë bllokojnë qarkullimin!

Për të tretën ditë radhazi, vazhdon protesta e banorëve të Rinasit të cilët kundërshtojnë vendimin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, ARRSH për devijimin e rrugës, se sipas tyre iu krijon probleme dhe iu shton kostot financiare.

Me thirrjen e përsëritur “Hapni rrugën!”, protestuesit qëndrojnë të ulur këmbëkryq e siç paralajmëruan dje, sot nuk dërguan as fëmijët në shkollë, po në shenjë proteste. ARRSH iu propozoi të shfrytëzojnë rrugët e lagjeve.

Nuk na bind deklarata e ARRSH-së. Të vijnë këtu ata dhe ta shohin sa kalohet te rrugët e lagjeve. Ne duam të hapet rruga siç ishte!

Nuk kërkojmë luks, kërkojmë të lëvizim brenda për brenda fshatit. Duam të çojmë fëmijët në shkollë, nuk shkojmë dot. Çdo ditë do të dalim në rrugë deri sa të na gjejnë zgjidhje. Nuk shkojmë dot tek tokat tona, prindërit tanë nuk shkojnë dot të bëjnë një gjilpërë në ambulancë. Kërkojmë të lëvizim brenda për brenda fshatit!

Protestat nisën të hënën e bllokimi i qarkullimit zgjati vetëm 30 minuta në fillimjavë. Janë 260 shtëpi që preken nga bllokimi i rrugës, ndërsa 130 fëmijë duhet të përshkojnë një rrugë shumë të gjatë, për të shkuar në shkollë. Edhe vetë të miturit thonë se kanë të drejtë të arsimohen. Banorët kërkojnë që rruga të kthehet siç ishte, pasi është një kosto shumë e lartë për jetën e tyre të përditshme.

Dje në një përgjigje ndaj ankesave, kreu i ARRSH-së, Evis Berberi, u shpreh se ata mund të përdorin rrugicat alternative në zonë, që siç theksoi “komuniteti i njeh mirë”. Për zgjidhjen përfundimtare, Berberi deklaroi se duhet pritur fundi i sezonit turistik.

Autoriteti vendosi që për një afat të pacaktuar, lëvizja drejt aeroportit të realizohet me një sens lëvizjeje me drejtimin nga Qafë Kashari-Rrethrrotullimi i “Nënë Terezës” – Ahmetaq. Mjetet që vijnë nga veriu për drejtimin në Rinas do të ndjekin lëvizjen Fushë Krujë-Vorë-Qafë Kashar-Aeroport. Rruga e njohur si “Ura e Hajdutëve” e që bën lidhjen me Kamzën, tani është me një sens lëvizje dhe banorët e asaj zone që duhet të shkojnë drejt Rinasit apo për në autostradë, nuk mund të kalojnë dot aty. Ata duhet të shkojnë tek Ura e Gjolës, më pas në Fushë Prezë, për të kaluar më tej te rrethrrotullimi i Vorës, për të marrë aksin e autostradës.