Bota

Dhjetëra të arrestuar për sulmin terrorist në Stamboll/Ankaraja akuzon kurdët!

Ministri i Brendshëm i Turqisë, Suleyman Soylu, konfimoi se policia turke arrestoi 22 persona të dyshuar për sulmin terrorist të një dite më parë në Stamboll. Në mesin e të prangosurve është edhe personi që ka vendosur bombën. Autoritetet nuk dhanë më shumë detaje, por për sulmin akuzuan Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, grup militant.

Të paktën gjashtë persona u vranë dhe 81 u plagosën nga shpërthimi në zonën shumë të frekuentuar të Stambollit, pranë Sheshit Taksim.
Zëvendëspresidenti turk, Fuat Oktay, tha se ngjarja besohet të jetë sulm terrorist, i kryer nga një grua. Ndërkohë, presidenti Recep Tayyip Erdogan paralajmëroi se “autorët do të ndëshkohen”. Duke folur në një konferencë për shtyp në Stamboll, Erdogan e dënoi atë që e quajti “sulm i poshtër” dhe shtoi se “era e terrorit është në ajër”.

Pavarësisht dyshimeve e akuzave të Ankarasë zyrtare, deri tani, asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin e përgjakshëm.

Partia e Punëtorëve të Kurdistanit, që u akuzua nga ministri i Brendshëm turk, njihet si grup militant që bën thirrje për shtet të pavarur kurd brenda Turqisë. Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e konsiderojnë “organizatë terroriste”, duke e përfshirë në listën e zezë.

Ministrja për Familje dhe Shërbime Sociale e Turqisë, Derya Yanik, shkroi në Twitter se një punonjës i dikasterit që drejton, si edhe vajza e tij janë në mesin e viktimave. Sulmi u dënua nga përfaqësues të disa vendeve të botës.

Sipas një deklarate të sekretares për media të Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, Shtetet e Bashkuara qëndrojnë “krah për krah” me aleatin e tyre të NATO-s në “luftën kundër terrorizmit”.

“Ne ndajmë dhimbjen tuaj… Ne jemi me ju në luftën kundër terrorizmit”, – nënvizoi presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në një postim në Twitter.

Të tjera vende, përfshirë Shqipërinë, Ukrainën, Pakistanin, Italinë e Greqinë, gjithashtu shprehën solidaritetin e tyre me Turqinë, duke dënuar me forcë atë që ndodhi dje.