Aktualitet

Dhuna ndaj 28-vjeçares në Tiranë, policia: Morëm të gjitha masat për t’i siguruar jetën!

Policia Tiranë reagoi lidhur me mbajtjen peng e dhunën barbare ndaj një 28-vjeçarje, ngjarje që ka marrë vëmendje të gjerë në media edhe për dinamikën e saj.

NJOFTIMI:

Në lidhje me ngjarjen e dhënë për shtyp ditën e djeshme, mbi rastin e dhunimit të një shtetaseje, ju sqarojmë se:

28-vjeçarja është paraqitur për ndihmë në shërbimet e emergjencës mjekësore me datë 15.04.2023, ku është njoftuar dhe Policia dhe me marrjen e këtij informacioni, Komisariati i Policisë Nr. 2 ka reaguar menjëherë me profesionalizëm për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë penale, dhe ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar të ngjarjes shtetasin G. G., 31 vjeç, i cili është arrestuar pak orë pas shpalljes në kërkim.

Gjithashtu, në lidhje me këtë rast janë arrestuar për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, shtetasit B. N., dhe A. Sh., si dhe për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, shtetasit B. K., dhe E. K.

Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e jetës së saj, gjatë qëndrimit në spital si dhe jashtë ambienteve të tij, si dhe gjithashtu të familjarëve të saj.

28-vjeçarja që u mbajt peng në një banesë në Tiranë ku dhunohej barbarisht nga  31-vjeçari Gerald Gusholli me të cilin kishte lidhje, tha se dhuna përsëritej dhe se i akuzuari tashmë i arrestuar i jepte kokainë. Për mediat tregoi se për shkak të torturës mendoi t’i jepte fund jetës duke u hedhur nga dritarja e apartamentit ku mbahej e privuar nga liria. Avokati i të dhunuarës kërkoi hetim të thelluar me pretendimin se Komisariati numër 2 në kryeqytet e referoi ngjarjen për një akuzë të lehtë. Njohja me Gushollin ishte bërë në Gjermani shtet ku vajza e dy prindërve emigrantë nga Tirana ka lindur dhe studiuar.