Rajoni

Dhunimi i 11-vjeçares në Prishtinë, sërish protesta!

Para Këshillit të Prokurorisë në Prishtinë, sot u zhvillua një protestë simbolike, për të kërkuar shkarkimin e prokurorit Ruhan Salihu e kryeprokurorit Kujtim Munishi. Ata u cilësuan “përgjegjës për mosparandalimin e dhunimit të vajzës 11-vjeçare në Prishtinë”, rast që u bë publik muajin e kaluar. Gjatë protestës, vendosën shirita të policisë, me emrat e dy prokurorëve. Shiritat simbolizojnë “skenën e krimit”.

Dhunimi i vajzës 11-vjeçare nga pesë burra muajin e kaluar ishte ngjarje që mund të parandalohej. Kjo nuk do të ndodhte nëse prokurori i rastit, Ruhan Salihu nuk do të bënte punën e tij në qershor, kur dhunimi i të miturës nga gjashtë persona u raportua. Ne jemi të vetëdijshëm se të paktën dy raste të dhunës seksuale, në të cilat Ruhan Salihu ka qenë prokuror, nuk i ka trajtuar me seriozitet.

Më 4 shtator, dorëheqjen e Munishit e kërkoi edhe ministrja e Drejtësisë e Kosovës. Sipas Albulena Haxhiut, “duhet të merren masa kundër prokurorëve e gjyqtarëve, që nuk kryejnë detyrat e tyre”. Në Kosovë janë mbajtur protesta pas dhunimit të së miturës. Protestuesit kërkuan përgjegjësi nga organet e drejtësisë.

Protestat para Këshillit të Prokurorisë të Kosovës do të vazhdojnë derisa të shkarkohen prokurorët Salihu e Munishi. Po ashtu, protestuesit kërkojnë që rasti i dhunimit të së miturës të kalojë në Prokurorinë Speciale.

Më 5 shtator, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se 11-vjeçarja, që u dhunua nga pesë persona në Prishtinë më 27 gusht, ishte abuzuar seksualisht prej më shumë se një viti. Autoritetet kanë caktuar masën e paraburgimit 30-ditor ndaj 11 të dyshuarve për dy rastet e dhunimit të 11-vjeçares.

Policia e Kosovës thotë se “çdo ditë raportohen dhjetëra raste të dhunimit seksual”. Ndërkaq, sipas të dhënave të Rrjetit të Grave, numri më i madh i dhunimeve është mes vajzave të grupmoshës 13 deri në 16 vjeç. Kodi Penal i Kosovës parashikon dënime me nga 2 deri në 15 vjet burg për dhunimin e të tjera abuzime seksuale.