Sociale

“Dhuro Flokë, Fal Shpresë”, lëvizja e tetorit kundër kancerit të gjirit në Shqipëri

Mbi 30 gra e vajza dhuruan sot flokët e tyre të gjatë në mbështetje të pacienteve, që mjekohen kundër kancerit të gjirit. Flokët e tyre përdoren në prodhimin e parukeve, që dhurohen falas pacienteve, që humbin flokët e tyre përkohësisht gjatë mjekimeve. Kjo është nisma e shoqatës shqiptare kundër kancerit, Europa Donna Albania.

Rreth 5 mijë gra e vajza janë të prekura dhe mjekohen për kancerin e gjirit, i cili ka një tendencë në rritje.

Në Tiranë, veprimtaritë e Tetorit Rozë kundër kancerit të gjirit u mbyllën sot me një fushatë të dhurimit të flokëve për paruke, në mbështetje të grave dhe vajzave të prekura nga kjo sëmundje.

Çdo vit afro 230 gra e vajza humbin jetën nga kanceri i gjirit, ose sa një e treta e atyre që diagnostikohen me këtë sëmundje.

Shoqata shqiptare kundër kancerit të gjirit Europa Dona Albania përmbylli sot, bashkë me Tetorin Rozë, edhe fushatën e dhurimit të flokëve.

Ato përdoren për të prodhuar paruke për vajzat dhe gratë me kancer gjiri, teksa humbin flokët gjatë mjekimeve, që të mos preken nga stigma e shoqërisë.

Vetëm sot u bënë mbi 30 dhurime flokësh, por kërkesat për paruke janë gjithmonë më të larta se sa numri në rritje i vullnetareve, që dhurojnë flokët e gjata. Oltiana Petri është mjeke dhe njëkohësisht paciente me kancer gjiri.

Ajo ishte vetëm 35 vjeç kur u prek nga ky lloj kanceri, i cili nuk njeh moshë as profesion, apo status social, deri sa prek doktoreshat dhe shumë vajza e gra të moshave dhe profesioneve nga më të ndryshmet.

“Kam 9 vjet që bashkëjetoj dhe them me plot gojën se jam me kancer gjiri, por jam këtu me shpresën për jetën, jam këtu për t’u thënë të gjithave se nuk përbën problem nëse e diagnostikoni herët atë sëmundje. Është një sëmundje si gjithë të tjerat, që nëse kapet herët mund të mjekohet dhe t’i kthehemi jetës së bukur”, thotë mjekja Petri.

Fushata titullohet “Dhuro Flokë, Fal Shpresë”, ndërsa veprimtaritë e këtij muaji u drejtuan nga motivi se “Kanceri i gjirit nuk prek vetëm në tetor”.

Të gjithë folësit u bënë thirrje grave e vajzave të bëjnë kontrolle të vazhdueshme në 12 muajt e vitit për të zbuluar sa më herët këtë sëmundje, që rrezikon jetën e tyre si dhe dëmton pacientet dhe familjet e tyre.

“Në familjen time kam 7 persona me kancer gjiri; mami im, tezet dhe persona të tjerë nga familja e mamit, e këtë muaj edhe gjyshja ime u diagnostikua me kancer gjiri. Nuk është vetëm një fushatë, por është një thirrje reale, sepse kancerët e gjirit po shtohen gjithnjë e më shumë. Nuk e parandalojmë dot, por duhet ta kapim në kohë, që të shpëtojmë nga një kalvar i gjatë vuajtjesh”, thotë Donjeta Zeqa, drejtuese e shoqatës shqiptare kundër kancerit, Europa Donna Albania.

Ekspertët pohojnë se shifrat e kancerit të gjirit janë në rritje, falë edhe diagnostikimit më të shpejtë.

Ky është kanceri më i shpeshtë tek gratë dhe i dyti në listën e kancerëve në popullatën e përgjithshme.

Rreth 5 mijë gra e vajza jetojnë me këtë sëmundje dhe mjekohen rregullisht kundër tij.

Në çdo spital ka pajisje moderne kontrolli, ku kryen mijëra mamografi falas në vit, por këto cilësohen të pamjaftueshme, dhe kërkohet dyfishimi dhe trefishimi i tyre gjatë tubimeve ndërgjegjësuese.