Rajoni

Digjen edhe tre makina të serbëve të Kosovës me targat RKS!

Në orët e para të ditës së sotme u dogjën edhe tre makina me targa RKS-Republika e Kosovës dhe që u përkasin banorëve të kombësisë serbe në veri të Kosovës. Sipas burimeve zyrtare, një u dogj në Zveçan dhe dy të tjera në Mitrovicën e Veriut. Policia thekson:

Sikurse edhe në rastin e parë, edhe në rastin e dytë, pas pranimit të informacioneve, njësitet policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes duke angazhuar njësitë kompetente policore, përfshirë forenzikën, të cilat kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.

Ky është rast i përsëritur pas atij të një dite më parë kur flaka iu vu dy autoveturave me targa RKS, po në pronësi të serbëve në veri.

Në fund të vitit të kaluar, në veriun e Kosovës u rritën tensionet për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës që të gjitha mjetet me targa ilegale të lëshuara nga Serbia t’i konvertonin ato në targa RKS.

Në shenjë pakënaqësie me këtë vendim, por edhe për shkak të arrestimit të një ish-polici serb të Kosovës, serbët lokalë patën ngritur barrikada në veri. Por, barrikadat u hoqën disa ditë më vonë kur ish-policit Dejan Pantiç iu ndryshua masa e sigurisë, nga paraburgim në arrest shtëpie.

Ndërkohë, Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian ranë dakord për zgjidhjen e çështjes së targave. Kjo pasi Prishtina hoqi dorë nga veprimet që kishin të bëjnë me vendimin për riregjistrimin e targave, ndërsa Serbia ra dakord se nuk do të lëshonte më targa të reja për makinat që qarkullojnë në Kosovë.

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës nuk ka treguar se sa makina janë ri-regjistruar në RKS deri tani, por kryeministri Albin Kurti deklaroi më 22 mars, se gjithnjë e më shumë qytetarë nga veriu po pajisen me targa RKS. Vlerësohet se në veriun e Kosovës janë rreth 10 mijë makina me targa ilegale të lëshuara nga Serbia.