Aktualitet

Digjet shtëpia në Vlorë, dy persona shpëtojnë mrekullisht!

Merr flakë banesa, një familje me dy persona mbetet në qiell të hapur në Vlorë. Ngjarja ndodhi mëngjesin e sotëm në fshatin Babicë e për fat të mirë, një grua dhe djali i saj shpëtuan pa lëndime. Paraprakisht, përcaktohet se shkak u bë rrjedhja e bombolës së gazit. Zjarri shpërtheu në çastin kur po ndizej bombola e për pasojë, shtëpia u shkrumbua. Për mediat, djali i shtëpisë u shpreh:

Sa do të filloja të gatuaja, mori flakë. Ne vetëm atë banesë kemi.

Në vendngjarje shkuan zjarrfikësit dhe policia. U punua për lokalizimin e shuarjen e flakëve, ndërsa u bë dhe nxjerrja e bomblës së gazit që duket qartë se ka pësuar çarje.

Uniformat blu të Vlorës po marrin në pyetje pronarin e banesës e po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes që fatmirësisht nuk shkaktoi të lënduar.

Në Vorë, një automjet në lëvizje mori flakë, si pasojë e një defekti, siç dyshohet nga veprimet paraprake të policisë. Makina drejtohej nga një shtetase e fatmirësisht nuk pati të lënduar. Ngjarja ndodhi në autostradën Tiranë-Durrës. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Vorë/Informacion paraprak

Me datë 04.06.2023, në autostradën Tiranë-Durrës, ka marrë flakë në lëvizje e sipër dhe është djegur automjeti me drejtuese shtetasen A. D., dhe si pasojë e zjarrit ka vetëm dëme materiale.

Nga veprimet paraprake dyshohet se zjarri ka rënë si pasojë e një defekti në mjet.

Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkaqeve të rënies së zjarrit.

Në një tjetër zhvillim, mesditën e kësaj të diele në Durrës, mori flakë hapësira e gjelbër pranë Urës së Dajlanit, në hyrje të zonës së plazhit. Aty shkuan zjarrfikësit që nisën punën për shuarjen dhe lokalizimin e zjarrit, shkaqet e të cilit nuk dihen ende, por po hetohen. Me rritjen e temperaturave, tipike për periudhën e verës, në vendin tonë shtohen raportimet për vatra zjarri. Në shumicën e rasteve, ato janë dhe të qëllimshme.