A Live Night Celebrities Gossip Showbiz

Dikush i ka ndryshuar jetën Alban Skënderaj dhe ju as nuk e mendoni se kush është!

‘A Live Night’ erdhi edhe këtë të shtunë me një nga artistët padyshim më të dashur të publikut. Jo vetëm për muzikën dhe artin e mirë që sjell, por Alban Skënderaj ka ruajtur gjithmonë një imazh shumë të pëlqyer nga audienca të të gjitha moshave prej vitesh. Këngëtarin dhe producentin e kemi parë shumë rrallë në dalje televizive apo intervista, ndaj kjo e ‘A Live Night’ ka rrëfime shumë speciale dhe të padëgjuara  më parë nga artisti.

E nëse ishit kuriozë, Albani na tregon se si nisi pasioni i tij për muzikën dhe kur e kuptoi se në fakt ajo që do të bënte në të ardhmen ishte pikërisht këndimi.

Nuk është se kam qenë shumë i ndërgjegjshëm për talentin tim. Unë këndoja para pasqyrës, merrja një fshesë, sajoja diçka, bëja çudira, por sa dilja nga shtëpia isha shumë i pasigurt. Nisa që në moshë shumë të vogël të shkruaja tekstet e mia, meloditë e mia, por për shumë vite nuk ia kam treguar askujt veçse familjes kuptohet, sepse takoja muzikantë, artistë të tjerë që ishin të vegjël, por kishin studiuar, ishin nga ana teknike shumë të mirë. Duhet të them që hapin e parë e kam bërë vonë por ka qenë një zotëri italian, unë uroj që të jetë gjallë sot, duhet të jetë moshë e madhe tani, ai është ndoshta arsyeja që unë jam këtu sot. U prezantova te ai zotëri dhe merrja leksione për kanton, doja të kuptoja ku isha dhe doja një ndihmë. Ai që nga momenti që më dëgjoi, tha “vesh muzike ke dhe je shumë i intonuar, ti ke talent”. I thashë “nuk e di nuk kam eksperiencë”. “Si mendon pse nuk merr pjesë në një ‘talent show’ për krahinën”, më tha dhe i thashë “Në asnjë mënyrë, unë nuk jam gati”. Ai insistoi dhe pranova. Këndova dy këngë të Eagles, ishte juri e madhe, familja ime para, ishte i gjithë qyteti aty, këndova me shumë emocion. Edhe pritëm në fund, juria vendosi dhe fitova unë në qindra konkurrentë. Për mua ishte ai moment që fitova besim te vetvetja, pastaj nga ai moment prapë me këtë zotërinë që më dha disa mundësi të tjera ku dola vendi i parë. Ai ka qenë shtysa më e madhe. Unë nuk doja të kompozoja në shqip, më pëlqente të këndoja në anglisht dhe italisht, familja, prindërit, sidomos më luteshin të bëja një këngë shqip dhe unë bëra për t’ju bërë qejfin më shumë dhe për të provuar veten. E realizova këngën ia dhashë babit. I thashë, na merre bëj çfarë të duash, nuk kam asnjë deshirë apo ambicie të bëj diçka në Shqipëri. Ia dha një mikut të vet që e çoi në disa festivale dhe një ndër to ishte dhe Festivali i Fundvitit në RTSH siç ishte dhe Top Festi. Nga festivali morëm përgjigje në 2004 që i thanë babit nuk është pranuar. Ndoshta nuk e kanë dëgjuar fare, me siguri, se në atë kohë ashtu funksiononte, shkonin kompozitorët e njohur, nuk kishte shumë mundësi për talentet e rinj. Erdhi dhe në Top Fest atje mbaj mend që ka ardhur shumë para afatit, sepse ashtu ka ndodhur.