Sport

Dinamo surprizon Kukësin, i largohet fundit të tabelës!

Një gol i Eni Imamit në minutën e 89 dhe dy pritje të të riut Simoni, kanë siguruar fitoren 1-0 të Dinamos ndaj Kukësit në ndeshjen që mbylli javën e 16 të Superiores.

Pritej një Dinamo ndryshe pas lëvizjeve të kryera gjatë janarit dhe ashtu ka qenë. Skuadra e Shkëmbit ku debutuan që sot blerjet e reja Lilaj, Denison dhe Rexhinaldo, u shfaq me agresive dhe kërkoi me ngulm golin në pjesën e parë, duke rrezikuar disa herë portën e Tafas.

Kukësi u përgjigj në pjesën e dytë, duke kërkuar më me ngulm golin, por blutë ishin të vendosur mirë dhe rreziqet para Simonit ishin minimale. Goli i vetëm i sfidës do të vinte në minutat e fundit të saj, kur Imami bëri bomberin me një gjuajtje spektakolare në vijimin e një goditje dënimi.

Më pas, Dinamo mbrojti rezultatin nga sulmet e dëshpëruara të Kukësit, me Simonin i cili u bë protagonist me devijimet e tij duke mbrojtur këtë rezultat që i jep frymëmarrje Dinamos e për më tepër kthen përsëri entuziazmin në radhët e bluve.

Tirana vazhdon të kryesojë kampionatin me 34 pikë, 6 më shumë se ndjekësit.