Celebrities Live From Tirana

Diola Dosti: “Kokaina dhe sheqeri i bardhë krijojnë të njëjtën varësi…”

Ditën e sotme në emisionin “Live From Tirana” u diskutua mbi varësinë ndaj ushqimit. E ftuar për një lidhje telefonike ishte nutricionistja e njohur Diola Dosti. Ajo u shpreh se dhe ajo momentalisht është në një proces detoksi.

Kur ke një muaj që e pi vazhdimisht lëngun e selinosë, vjen një moment që të bëhet varësi. Kur ka raste që nuk e pi mendoj: “Çfarë më mungon?” Dhe ky është adaptim i qelizave. 

E pyetur nëse ka të njëjtat vlera si selinoja si lëngu i saj, ajo u përgjigj:

Nuk kanë të njëjtat vlera në fakt. Problemi është që kur largohen fibrat nga lëngu i selinosë, ai aty e ka vetinë ose potencialin e tij më të madh. Mund të bësh një supë me rrënjën e selinosë, mund ta hash siç është, por në fakt vlerat më të mëdha i ka lëngu. Prandaj edhe pasi u bë trend lëngu i selinosë, më pas doli dhe ai trendi i aparatit enkas për të. Kështu që ka vlera të jashtëzakonshme. Madje vite më parë, thuhej se mjekët ia jepnin pacientëve kërcellin e selinosë kur nuk kishin shtrydhëse. Ja jepnin thjesht ta përtypnin dhe më pas ta nxirrte, thjesht për të marrë veçoritë e tij.

Pasi u diskutua se në fakt selinoja ka veti goxha pozitive dhe të jep energji, apo se të gjithë njerëzit kanë vënë re ndryshime rrënjësore pas përdorimit të tij, Diola tregoi dhe eksperiencën e saj.

Do të të tregoj një veçanti. Dje për shembull, jam zgjuar në orën 01:30 të natës dhe kam bërë meditim në 06:00 të mëngjesit, joga në orën 07:00 dhe kam bërë një ngjitje në mal, vrap 35 minuta, që Diola e urren vrapin. Dhe e vetmja gjë që mund t’ja vë fajin, është thjesht ky detoksi. Ndërsa në aspektin emocional, unë do të thosha të kundërtën. Vdiqa duke qarë gjithë ditën, sepse bëhesh shumë emocionale. Dhe jam vërtet shumë melankolike, kështu që mos ndalo shumë tek kjo pjesa sepse do të filloj të qaj tani (qesh).

Sipas saj, të gjithëve ne na duhet një detoks me patjetër, duke mos ditur se sa të dëmtuar e kemi mëlçinë tonë. Por si dallohet kur po krijojmë një varësi ndaj ushqimit?

Zakonisht dallohet kur ne kemi pjata që njihen si ‘monoushqime’, domethënë kur i kemi ushqimet e njëjta. Dihet që organizmi jonë në një orar të caktuar mësohet, sepse si të gjitha qelizat tona edhe organizmi ka memorie. Dhe në momentin që ka memorie, do të thotë që ai ka aftësi përshtatëse të tillë, pra kur ti ke ngrënë makarona në orën 3, të nesërmen ha përsëri makarona dhe vjen një farë kohe që trupi adaptohet me ato ‘monoushqime’. Krijon më së shumti varësi ndaj karbohidrateve të thjeshta ose nga sheqeri i bardhë. Sipas studimeve, kokaina dhe sheqeri i bardhë në disa zona të trurit, krijojnë të njëjtën varësi. Edhe ushqimet e fast-food, janë ushqime të cilat i hedhin disa erëza të cilat krijojnë varësi, të cilat bëjnë që trupi yt t’i kërkojë përsëri.

E pyetur se cilat janë shenjat, të cilat ka një person i varur nga ushqimi, ajo u përgjigj:

Ai person në momentin kur i vjen orari për të ngrënë atë ushqim, fillojnë grryerjet e stomakut, dhe gjëndrat e pështymës stimulohen më shumë kur e imagjinojnë ushqimin. Kjo është ajo shenja karakteristike. Ne të gjithë kemi varësi nga një ushqim i caktuar. Unë për shembull kam varësi nga frutat. Qelizat tona kanë memorie dhe nëse ti i bën shprehi trupit tënd që të hash vazhdimisht fruta, trupi yt do të krijojë varësi nga ato fruta. Por problemi më i madh është a kemi ne varësi nga ushqimet e pashëndetshme? Ne ndërtohemi dhe i zëvendësojmë vazhdimisht qelizat tona. Pra, nëse ti i jep trupit tënd fruta, ai fruta do të kërkojë. Nëse i jep pastaj sufllaqe, atë do të kërkojë.