Rajoni

Disa policë të plagosur, mjetet e KFOR-it dhe mediave të dëmtuara! Pesë të arrestuar pas trazirave në veri!

Disa policisë të KFOR-it kanë mbetur të plagosur pasi u përballën sot me protestuesit e dhunshëm në veri të Kosovës.

Pesë persona që dyshohet se kanë goditur policët janë vënë në pranga.

Situata më e tensionuar gjatë gjithë ditës ka qenë në Zveçan, ku u desh ndërhyrja e KFOR-it për të shpërndarë turmën. Në njoftimin për shtyp, Policia e Kosovës raporton zhvillimet e sotme në Leposaviç, Zubin Potok dhe Zveçan.

 Deklarata e Policisë:

Në Zveçan protestuesit kanë vazhduar të jenë jo paqësor dhe në vazhdimësi kanë provokuar situatën, kanë shfaqur dhunë, kanë gjuajtur gjësende të ndryshme në drejtim të zyrtarëve policorë, kanë vendosur e shkruar mbishkrime provokuese me simbole serbe e ruse në automjetet policore e të KFOR-it, si dhe kanë dëmtuar gomat dhe pjesë të tjera të automjeteve.

Nga protestues të maskuar, janë penguar dhe rrezikuar edhe gazetarë të mediave të ndryshme të cilëve iu janë dëmtuar automjetet e tyre, prej tyre një veturë e kanë djegur, e po ashtu iu janë shkruar mbishkrime nacionaliste serbe.

Sirenat/alarmet janë lëshuar në vazhdimësi në komunat veriore me qëllim të ri-mobilizimit të tyre, deri më tani edhe në Leposaviç protestuesit kanë gjuajtur gjësende të ndryshme dhe fishekzjarre/mjete piroteknike ndaj zyrtarëve dhe mjeteve policore.

KFOR-i janë detyruar të veprojnë pasi nga dhuna e protestuesve është vënë në rrezik jeta e zyrtarëve, janë vënë në rrezik dëmtimi i automjeteve dhe prona publike.

Protestuesit në Zveçan nuk kanë zbatuar urdhrat zyrtar për largim, por kanë rezistuar dhe kanë filluar të hedhin mjete të ndryshme, koktej molotovi, shok bombë, mjete eksplozive si dhe janë dëgjuar gjuajtje me armë zjarri.

Po ashtu një veture zyrtare të PK-së i është vënë zjarri si dhe janë dëmtuar edhe vetura tjera.

Policia e Kosovës vazhdon në menaxhimin e situatës në koordinim me KFOR-in dhe ka filluar hetimet intensive, lidhur me dhunën dhe sulmet e shkaktuara ndaj mediave, pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë.

Protesta është ende duke vazhduar, situata vazhdon të jetë e tensionuar sidomos në Zveçan, pasi aty dhe në komuna tjera po qarkullojnë persona/grupe kriminale të armatosur, të veshur në rroba të zeza e të maskuar.

Duke parë rrethanat dhe situatën e tensionuar të krijuar nga grupet kriminale në veri të vendit, Policia e Kosovës fton qytetarët për qetësi dhe të mos bien pre e provokimeve të çfarëdo natyre qofshin ato.