Aktualitet

Diskutime në Kuvend për projektbuxhetin e 2022, sugjerime për taksat e premtime për pagat!

Qeveria ka ndryshuar propozimin për taksën e qumështit pluhur duke përjashtuar fabrikat e prodhimit me etiketë të miratuar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Ndryshimi ku Financat tërhiqen nga propozimi fillestar është reflektuar në projektligjin e depozituar tashmë në Kuvend ku përfshihet edhe kjo shtesë përmes një neni të posaçëm. Më herët, qeveria kishte propozuar vendosjen e taksës 100 lekë për kg për të gjitha kategoritë, masë e cila nuk u mirëprit nga grupet e interesit dhe nga shoqatat e biznesit.

Në dëgjesën e sotme në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë Tiranë tha se duhet të taksohet qumështi pluhur nëse taksohen edhe produktet e tjera me bazë, këtë qumësht. Sipas tij, 88% e industrisë së qumështit në vend është informale.

Me Buxhetin e vitit 2022 do të mundësohet rritja e ndihmës ekonomike për familjet në nevojë. Kjo u bë e ditur sot nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në seancën dëgjimore në Komisionin për Ekonominë. Manastirliu përmendi rritje me 10% të masës së ndihmës ekonomike për të gjitha familjet përfituese të skemës, si dhe dyfishim të ndihmës për ato që kanë më shumë se 3 fëmijë nën 18-vjeç. Ndërkohë, do të trefishohet masa e Ndihmës Ekonomike për fëmijët me statusin e jetimit, si dhe për gratë e trafikuara e të dhunuara.

Ministrja e Shëndetësisë tha se për vitin 2022 janë parashikuar të trajtohen me pagesa të aftësisë së kufizuar më shumë se 164 mijë persona, përfshirë kujdestarë të PAK-ut dhe invalidët e punës, me një fond në mbi 16 miliard lekë. Gjithashtu do të vijojë Programi i Bonusit të Bebes për mbështetjen e mbi 30 mijë familjeve çdo vit. Në buxhetin e vitit 2022 është parashikuar fondi prej 2 miliardë e 300 milion lekë.

Në një tjetër zhvillim po në lidhje me Buxhetin, Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi deklaroi sot në Komisionin e Sigurisë Kombëtarr se në pr/buxhetin e vitit 2022 është parashikuar rritja prej 30% e pagës për të gjithë personelin e Forcave të Armatosura.