Sociale

Dita Botërore e Sindromës Down, shoqëria civile apel për më shumë vëmendje

Sot në Ditën Botërore të Sindromës Down, Fondacioni Down Syndrome Albania i kërkon Komitetit të Ekspertëve t’i japë prioritet vaksinimit anti-COVID të personave me këtë sindromë, si grup risku. E njëjta kërkesë dhe për stafet e qendrave publike e jo publike që ofrojnë shërbime për Personat me Aftësi të Kufizuar në vendin tonë. Zyrtarisht, në Shqipëri janë 682 njerëz me sindromën down mes 73 mijë Personave me Aftësi të Kufizuar, pa përfshirë invalidët e punës. Fondacioni i kërkon qeverisë të mbështesë financiarisht Personat me Aftësi të Kufizuar, me një vlerë monetare të barabartë me shumën e pagesës së aftësisë së kufizuar, për të lehtësuar sadopak efektet e pandemisë në jetën e tyre. Gjithashtu, bën thirrje që politikanët t’i japin fund narrativave diskriminuese e sharjeve duke përdorur diagnoza të Personave me Aftësi të Kufizuar intelektuale.

Me tej, Down Syndrome Albania pret që për zgjedhjet e 25 prillit, partitë politike të përfshijnë në programet zgjedhore, çështje e prioritete për Personat me Aftësi të Kufizuar. Sipas një studimi të UNDP-së në Shqipëri,  në 18 bashki të vendit, vetëm 1901 Persona me Aftësi të Kufizuar kishin akses në shërbime publike, vitin e kaluar. Në 2012-ën, 21 Marsi u zgjodh të jetë Dita Botërore e Sindromës Down me vendim të Kombeve të Bashkuara.