Bota

Dita e 112-të e luftës në Ukrainë!

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë deklaroi se “raketat e saj shkatërruan një depo municioni në rajonin e Lvivit në Ukrainë, ku sipas pretendimeve të ushtrisë ruse, mbaheshin armë dhe municione, të dhuruara nga vendet e NATO-s”. Ndërkohë, përparimet ushtarake të Rusisë në rajonin lindor të Donbasit janë shoqëruar me kërkesa të vazhdueshme nga zyrtarë të lartë ukrainas, për më shumë armë perëndimore, pasi ekzistueset “nuk mjaftojnë”.

Tashmë, dy vende të fuqishme, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe zotohen të furnizojnë Ukrainën me një numër të vogël raketash, me shpresën për t’i bërë ballë fuqisë dërrmuese të arsenalit rus. Por, Ukraina thotë se ka nevojë për më shumë armë e artilieri në betejën e forcave ushtarake ukrainase, ndaj ushtrisë së dytë më të madhe në botë. Po ashtu, bëhet e ditur se Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin do të kryesojë një takim në Bruksel, me pjesëmarrjen e pothuajse pesëdhjetë vendeve, të angazhuara për të mbështetur Ukrainën. Në fokus do të jenë përpjekjet për të marrë parasysh se çfarë mund të bëhet më shumë.

Ushtria ukrainase po pëson ato që përshkruhen si “humbje të dhimbshme” në rajonin lindor të Donbasit e gjithashtu, në të tjera zona të vijës së frontit në Ukrainë. Këtë e bëri të ditur presidenti Volodymyr Zelensky, në një mesazh të fundit video, të publikuar mbrëmjen e djeshme.
Zelensky, i cili sot pret në Kiev, kryeministrin Edi Rama dhe atë të Malit të Zi, Dritan Abazoviç, theksoi se “Ukraina ka nevojë për armë moderne anti-raketore, për të mbrojtur territorin e saj”.

Po ashtu, kreu i shtetit ukrainas nënvizoi se pret inspektime të logjistikës në ushtri, pas raportimeve në rritje se disa ushtarakë ukrainas, nuk kishin pajisje të mjaftueshme ushtarake. Sipas tij “është jetike të mbrohet rajoni i Donbasit”, duke vënë në dukje se “kjo do të jetë thelbësore për përcaktimin se kush do të dominojë betejën në javët e ardhshme”.