Bota

Dita e 122-të e luftës në Ukrainë/SHBA: Rusia ka humbur!

Dita e 122-të e luftës në Ukrainë. Me ofensivën ruse të përqendruar në lindje të vendit, raportohet se në Donjeck, pesë civilë humbën jetën dhe katër të tjerë mbetën të plagosur, si rezultat i bombardimeve të pandalshme të trupave ushtarake të Moskës. Bilancin e dhanë burime të administratës rajonale ukrainase.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shprehet se “Rusia i grabiti paqen”, por “nuk do të arrijë t’i shkatërrojë”.

Ukrainasit duan të jetojnë jetën, siç janë mësuar e të shijojnë lirinë. Por, nuk mund ta bëjnë pasi ka ndodhur kjo gjë e tmerrshme: Rusia na e grabiti paqen.

Zelensky ka një tjetër thirrje drejtuar vendeve perëndimore për t’i siguruar Kievit ndihmë të mëtejshme ekonomike e ushtarake.

Nuk duhet të lejojmë që lufta e rusëve të na shkatërrojë. Duam ta ndalim, para se të shkatërrojë të tjera jetë njerëzish në vende të Europës, Afrikës, Azisë, Amerikës Latine. Të gjithë janë të kërcënuar tani.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken vlerëson se “Ukraina po mbrohet me kurajo dhe vendosmëri”. Sipas tij, “Rusia ka humbur”.

Objektivi i Putinit ishte të eliminonte Ukrainën, një vend i pavarur dhe sovran. Dështoi, sepse një Ukrainë e pavarur e sovrane do të mbijetojë shumë më tepër se presidenti rus.

Ndërkohë, vazhdon shqetësimi mbi krizën ushqimore, për të cilën, ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve të G7-ës fajësojnë Rusinë. Por, sipas Turqisë ka një konsensus të përgjithshëm mes tre palëve të interesuara për hapjen e një korridori që do të çonte në furnizimin e tregjeve ndërkombëtare me grurin ukrainas.

Lidhur me këtë problem, presidenti rus Vladimir Putin akuzon Kievin duke e fajësuar se sipas tij, “pengon marrëveshjen për eksportin”, duke shtuar se “Moska është dakord me Organizatën e Kombeve të Bashkuara”.

Po ashtu, Moska zyrtare ankohet për qëndrimet e Bashkimit Europian dhe e akuzon Unionin për sjellje agresive që sipas zëdhënëses së Ministrisë së Punëve të Jashtme, Maria Zakharova, “thellon ndasitë”.

Një politikë e tillë nga Brukseli, nuk ka fare të bëjë me nevojat reale të banorëve të Ukrainës dhe vendeve të BE-së.