Bota

Dita e 124-rt e luftës ruse në Ukrainë!

Dita e 124-rt e luftës në Ukrainë e nga Bjellorusia u ndërmorën sulme në drejtim të rajonit Chernihiv. Në vijim të bombardimeve ruse, raketat e pushtuesve goditën edhe një zonë rezidenciale në Kiev. Një person humbi jetën e katër të tjerë u plagosën, mes tyre një vajzë 7-vjeçe. Ndërkohë, Moska këmbëngul se goditi vetëm një fabrikë raketash dhe se dëmet në pjesët e banuara janë pasojë e mbrojtjes anti-ajrore ukrainase.

Sulme të reja edhe në rajonin ukrainas të Odesës. Ndërkaq, raportohet se ushtria ruse po përgatitet për një ofensivë të re në Ukrainë. Moska është duke dislokuar trupa e mjete ushtarake shtesë në Sloviansk. Kievi zyrtar bën të ditur se nga Bjellorusia hynë 20 vagonë treni me municione ruse.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pritet të bëjë thirrje për më shumë armë të rënda, kur sot t’i adresohet samitit të G7-ës, grupit të shtatë shteteve më të industrializuara. Ky grup përbëhet nga: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Italia, Kanadaja e Japonia. Adresimi i tij vjen pasi në lindje të Ukrainës, Rusia ka fituar kontroll të plotë të Severodonjeckut, si dhe është duke shënjestruar qytetin Lisiçansk.

Konflikti në Ukrainë do të vazhdojë të dominojë axhendën në ditën e dytë të samitit treditor të liderëve të G7-ës. Një ditë më parë, udhëheqësit u takuan me synimin për të rritur së bashku presionin ndaj Moskës, që të tërheqë trupat nga Ukraina, si dhe për të zbutur ndikimet e luftës.

Samitin po e përdorin si një forum për shpalljen e ndalimit të importeve të arit rus e një nismë të përbashkët infrastrukturore, për të kundërshtuar ndikimin kinez në vendet me të ardhura mesatare. Po zhvillohen diskutime edhe për një tavan të mundshëm të çmimit të naftës. Në debatet e djeshme morën pjesë edhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen e kreu i Këshillit Europian, Charles Michel.

Gjermania mban presidencën e këtij viti të G7-ës dhe kancelari Olaf Scholz pret sot edhe liderët nga demokracitë joG7: Argjentina, India, Indonezia, Senegali e Afrika e Jugut për të diskutuar krizën klimatike, shëndetin publik dhe sigurinë e energjisë. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres do t’i bashkohet grupit përmes lidhjes video, për të trajtuar krizën ushqimore të shkaktuar nga lufta ruse në Ukrainë, e cila tani është në muajin e saj të pestë.