Bota

Dita e 129-të e luftës në Ukrainë!

Dita e 129-të e luftës, Ukraina akuzon Rusinë për sulme me bomba me fosfor në Ishullin e Gjarprinjve, pasi u tërhoq nga baza strategjike e rëndësishme e Detit të Zi. Kievi nuk e kurseu ironinë.

Dy avionë luftarakë tip Su-30 hodhën bomba fosfori. E vetmja gjë ku armiku mbetet i qëndrueshëm është saktësia e pandryshueshme.

Dy ditë më parë, ushtria ruse tërhoqi forcat e saj nga ishulli, në atë që Moska e përshkroi si “gjest vullneti të mirë”, për të ndihmuar në zhbllokimin e eksporteve të grurit. Por, tërheqjen ruse nga ishulli i kapur në ditën e dytë të luftës, Kievi e cilësoi si “fitore të Ukrainës”. Ishulli i Gjarpërinjve shtrihet në brigjet e Ukrainës, rreth 35 kilometra larg deltës së Danubit dhe ishte zonë e kufizuar ushtarake si një postë kufitare ukrainase përpara fillimit të luftës.

Ndërkohë, forcat ruse po godasin qytetin Lisiçansk dhe rrethinat e tij, në një përpjekje gjithëpërfshirëse për të kapur bastionin e fundit të rezistencës në provincën Lugansk të Ukrainës lindore. Prej javësh, luftëtarët ukrainas po përpiqen ta mbrojnë, që të mos bjerë në duart e Rusisë, ashtu si fqinji Severodonjeck, një javë më parë. Lugansk dhe Donjeck janë dy provincat që përbëjnë rajonin e Donbasit, ku Rusia ka përqendruar ofensivën, që nga tërheqja nga veriu i Ukrainës dhe kryeqyteti Kiev në pranverë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy njoftoi se tre raketa goditën një pallat me apartamente, në qytetin e vogël Serhivka.

Theksoj: ky është një terror i qëllimshëm i drejtpërdrejtë rus dhe jo ndonjë gabim apo një sulm aksidental me raketa.

Kremlini ka pohuar në mënyrë të përsëritur se ushtria ruse po synon vendet e magazinimit të karburantit dhe objektet ushtarake, jo zonat e banuara. Sulmin me raketa, autoritetet ukrainase e interpretuan si shpagim për tërheqjen e trupave ruse nga një ishull afër Detit të Zi, me rëndësi simbolike dhe strategjike në luftën që filloi me pushtimin e Ukrainës nga Rusia, më 24 shkurt.