Bota

Dita e 31-të e luftës në Ukrainë!

Sot është dita e 31-të e konfliktit ruso-ukrainas. Në mëngjes dështoi një përpjekje e organizuar nga OSBE-ja për të evakuar një grup personash nga Khersoni. Automjetet me njerëz, mes tyre gra e fëmijë që po i drejtoheshin Odesës u detyruan të kthehen pas, për shkak të bombardimeve ruse e të shtënave me armë përgjatë rrugës. Khersoni është qytet i pushtuar nga rusët në Ukrainë.

Mësohet se janë rreth 600 persona që më 16 mars i mbijetuan sulmit rus kundër teatrit të Mariupolit. Fatkeqësisht, rreth 300 të tjerë që gjendeshin në katet e sipërme dhe në pjesën e pasme të godinës, nuk ia dolën e humbën jetën. Kombet e Bashkuara janë sinjalizuar për ekzistencën e varreve të përbashkëta në Mariupol, qytet që mbahet i rrethuar nga pushtuesit.

Sirenat e alarmit që tregojnë se popullata duhet t’i drejtohet bunkerëve për t’u mbrojtur nga sulmet ajrore, ranë sot në disa qytete në rajone të ndryshme të Ukrainës. Ato u dëgjuan në kryeqytetin Kiev, si edhe në Cherkasy, Kropyvnytskyinel, Zaporizhia, Dnipro, Zhytomyr, Kharkiv e Sumy. Sulmet ruse nuk kanë kursyer objektet shëndetësore dhe goditjet ndaj tyre sa vijnë e shtohen. Referuar burimeve të OBSH-së të cituara nga BBC, mbi 70 të tilla kanë shënjestruar spitale, ambulanca e mjekë.

Sipas UNICEF-it, “më shumë se gjysma e fëmijëve ukrainas janë detyruar të largohen nga Ukraina në një muaj luftë”. Duke folur për CNN-in, zëdhënësi James Elder publikoi të dhëna shqetësuese:

Rreth 1.4 milion persona nuk kanë akses në ujë të pastër, ndërsa 4.6 milion kanë akses të kufizuar e madje po e humbasin. Më shumë se 450 mijë fëmijë nga 6 në 23 muaj duhet të marrin ndihma në ushqime.

Pentagoni jep alarmin se Moska po tenton të sjellë përforcime nga Gjeorgjia, ndonëse nuk ka detaje të tjera lidhur me këtë lëvizje. Ndërkohë, presidenti amerikan, Joe Biden ndodhet në kryeqytetin polak Varshavë e gjatë kësaj vizite do të takojë edhe dy ministra ukrainas, siç bën të ditur Shtëpia e Bardhë.