Bota

Dita e 341-të e luftës në Ukrainë, bombardime ruse në Kharkiv!

Lufta ruse në Ukrainë arrin në ditën e 341-të. Të paktën një person humbi jetën pas bombardimeve të Rusisë në qendër të Kharkivit. Kati i katërt i një ndërtese në lagjen Kiev të qytetit u shkatërrua plotësisht. Kjo raportohet nga Ukrinform, duke shtuar se “sipas banorëve vendas, të paktën dy persona të lënduar u nxorën nga godina”.

Ndërkohë, mësohet se Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës ka porositur 105 dronë zbulues Vector nga kompania gjermane Quantum-Systems GmbH. Sipas njoftimit të kësaj kompanie, “furnizimi do të financohet nga qeveria gjermane”.

Nga ana tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i kërkoi Koresë së Jugut të rrisë mbështetjen e saj ushtarake për Ukrainën, duke kujtuar se vendet e tjera ndryshuan politikën e tyre të ndalimit të furnizimeve për shtetet ndërluftuese pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Raportohet se shefi i Aleancës Veri-Atlantike falënderoi Seulin për ndihmën e dhënë deri më tani për Kievin, por bëri thirrje për të bërë më shumë përballë një “nevoje urgjente” për municion.

Por, orët e fundit nuk kanë mbetur jashtë vëmendjes edhe deklaratat e ish-kryeministrit britanik, Boris Johnson, i cili zbuloi për mediat se para pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt të vitit të kaluar, gjatë një telefonate “jashtë orarit”, Vladimir Putin kërcënoi se do të bombardonte Britaninë e Madhe.

Gjatë një telefonate “të jashtëzakonshme” në prag të pushtimit të Ukrainës, presidenti rus, Vladimir Putin kërcënoi Boris Johnsonin me një sulm me raketa në Britaninë e Madhe. Këtë e tha vetë ish-shefi i qeverisë së Londrës i intervistuar nga BBC për një dokumentar të titulluar “Putin kundër Perëndimit”. Kryeministri i atëhershëm kujton se shefi i Kremlinit i pati thënë edhe se “një minutë do të mjaftonte”.

Ndërkaq, ka ndërruar mendim ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, duke mos e fshehur zhgënjimin:

Unë shpresoja për Rusinë si aleate të Perëndimit, por gabova.