Bota

Dita e 432-të e luftës në Ukrainë, raketa e dronë rusë në Kiev!

Lufta në Ukrainë arrin në ditën e 432-të. Numri i fëmijëve që humbën jetën nga bombardimet ruse është rritur në 477. Kjo u bë e ditur nga Prokuroria e Përgjithshme në Kiev. Sipas inteligjencës së Britanisë së Madhe, muajt e fundit komandantët rusë kanë ndëshkuar ushtarët që duan të largohen nga fushëbeteja ose që dehen. Këtë e bëjnë duke u ndërprerë kontratat apo duke i mbyllur në gropa të hapura në tokë e të mbuluara nga një rrjet metalik.

Papa Françeskut tha se “Selia e Shenjtë ka një mision paqeje në zhvillim” e për momentin nuk mund të flasë, por do ta bëjë kur të jetë gati.

Sot herët në mëngjes, ushtria ruse bombardoi Pavlogradin në rajonin lindor Dnipropetrovsk ku sipas guvernatorit Nikolai Lukashuk, 25 persona u plagosën, përfshirë disa fëmijë. Të tjera vende në rajon janë prekur, ka zjarre, dëmtime të objekteve të banimit, një kantier industrial, shkolla. Trupat ruse filluan dhe 54 sulme në rrethin verilindor Sumy.

Gjatë natës dhe herët në mëngjes, raketa e dronë ruse u hodhën kundër Kievit, por Ukraina thotë se të gjithë u shkatërruan nga forcat e mbrojtjes ajrore ukrainase. Nuk pati viktima apo dëme në infrastrukturë.

Administrata ushtarake e kryeqytetit ukrainas u kërkoi banorëve të qëndrojnë në vendstrehime. Alarmi për sulm ajror u lëshua në qytet rreth orës 03:40 dhe ende është aktiv. Gjatë natës, trupat ruse sulmuan territorin e Ukrainës me bombardime strategjike, duke lëshuar 18 raketa.

Ndërkaq, kryebashkiaku i Kharkivit u shpreh se “rindërtimi i qytetit do të kushtojë 9.5 miliardë dollarë”.  Ihor Terekhov shtoi se megjithatë “sulmet vazhdojnë dhe është e pamundur të bëhet një vlerësim përfundimtar i të gjitha dëmeve të shkaktuara në Kharkiv nga agresorët rusë”. Sipas tij, “Ukraina nuk do të jetë në gjendje t’i gjejë vetë fondet dhe ka nevojë për mbështetjen e partnerëve perëndimorë, veçanërisht të Shteteve të Bashkuara”.