Bota

Dita e 67-të e luftës në Ukrainë!

Kryetarja e Dhomës amerikane të Përfaqësuesve, Nancy Pelosi ishte në Kiev, ku takoi presidentin ukrainas Zelensky. Pelosi shoqërohej nga anëtarë të Dhomës. Kjo vizitë e paparalajmëruar vjen në kohën kur SHBA-të e të tjera vende kanë intensifikuar përpjekjet për t’i dërguar ndihmë ushtarake dhe mbështetje shtesë Ukrainës, që po përballet me agresionin rus prej mbi dy muajsh.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, po viziton Pekinin për t’i kërkuar Kinës garanci të sigurisë, si pjesë e ndonjë marrëveshjeje të ardhshme paqeje mes Ukrainës e Rusisë. “Aktualisht, Kievi po studion mundësitë për të marrë garanci të sigurisë nga anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përfshirë Kinën dhe fuqitë e tjera të mëdha”, – i tha Kuleba mediave kineze.

Kombet e Bashkuara po vazhdojnë përpjekjet për të mundësuar evakuimin e civilëve nga qyteti ukrainas i Mariupolit, ndërsa luftimet dhe bombardimet vijojnë në të gjithë pjesën jugore e atë lindore të Ukrainës. Një zëdhënës i OKB-së deklaroi:

Negociatat për evakuimin e civilëve nga Mariupoli po zhvillohen në Moskë e Kiev, por nuk mund të raportoj për përparim, për shkak të kompleksitetit të operacionit.

OKB-ja beson se rreth 1 mijë civilë gjenden në uzinën e çelikut Azovstal, e vetmja pjesë e Mariupolit që nuk ka rënë në duart e pushtuesve. Po ashtu, kjo organizatë beson se afro 100 mijë persona ndodhen në Mariupol, qytetin e kthyer në arenë të luftimeve intensive, që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës.

Në videot e publikuara dje, luftëtarët ukrainas në Azovstal dhanë alarmin se po iu mbarojnë furnizimet në ushqim, ujë dhe të tjerë artikuj e bënë thirrje për ndihmë. Pa dhënë prova e fakte, Moska akuzoi sot forcat ukrainase në rajonin jugor të Khersonit se bombarduan zona me civilë, duke shkaktuar viktima. Por, Kievi deklaron se “në kufirin me këtë rajon, rusët po sulmojnë qytetet Mykolaiv e Kryvyi Rih”. Një ditë më parë, Rusia kreu sulme me raketa në pistën e aeroportit të Odesës, qytetit të tretë më të madh ukrainas, po ashtu i rëndësishëm në Detin e Zi. Pista doli jashtë përdorimit prej goditjeve të ndërmarra nga Gadishulli i Krimesë, të cilin Moska ia aneksoi Ukrainës, më 2014-ën.