Bota

Dita e 94-rt e luftës në Ukrainë!

Me shumë mundësi, forcave ukrainase do t’iu duhet të tërhiqen nga Severodonjecku, një prej dy qyteteve kryesore të rezistencës në lindje të Ukrainës. Trupat ruse i janë afruar ndjeshëm, në kohën kur siç paralajmëron Inteligjenca britanike, “Moska ka nevojë akute për një fitore në Donbas, si justifikim politik për luftën”.

Situatën atje, presidenti Volodymyr Zelensky e përshkruan si “shumë të vështirë”.

Forcat ruse kanë përqendruar përpjekjet në Donbas, duke intensifikuar sulme të artilerisë dhe me raketa, ndërsa trupat ukrainase po mbrojnë tokën tonë.

Rusët po shënojnë përparim të shpejtë edhe në Lisiçansk, përveçse në Severodonjeck, qytet thuajse i shkatërruar plotësisht e ku janë vrarë 1 mijë e 500 persona që kur nisi pushtimi, mbi tre muaj më parë. Shifrën e jep kryebashkiaku, Olesandr Stryuk, i cili gjithashtu informon:

Deri në 13 mijë njerëz vazhdojnë të qëndrojnë në qytet, ndërsa para luftës, Severodonjecku numëronte rreth 100 mijë banorë.

Në rajon gjenden rreth 10 mijë trupa ruse, që gjithashtu kanë hyrë në disa pjesë të Severodonjeckut. Ndërkaq, Ministria britanike e Mbrojtjes raporton se “me gjasë, ata kanë marrë shumicën e territorit të Limanit”, zonë në perëndim të Severodonjeckut, nga ku duket se filloi operacioni i fazës së ardhshme të ofensivës së Rusisë.

Edhe Ukraina konfirmoi se “rusët kanë marrë kontrollin e shumicës së Limanit” dhe se forcat e saj po pengojnë “përparimin e pushtuesve në jugperëndim”.

Inteligjenca britanike vlerëson:

Me gjasë, Moska do të vendosë si prioritet kontrollin e kalimit të lumit Siverski Donjeck, që ndan Severodonjeckun nga qyteti Lisiçansku. Nëse Rusia arrin sukses në këto zona, ka të ngjarë që në Kremlin kjo të shihet si fitore politike dhe të paraqitet para popullit rus si justifikim për pushtimin.

Një ditë më parë, Kombet e Bashkuara njoftuan për mbi 4 mijë civilë të vrarë në Ukrainë, por është e qartë se në realitet, shifrat janë shumë më të larta se ato që raportohen zyrtarisht, pasi u verifikuan më parë.