Aktualitet

Dita e Çlirimit, drejtuesit më të lartë të shtetit kryejnë homazhe në nderim të të rënëve!

Në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, sot u zhvilluan homazhe për të përkujtuar 78-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë, pas Luftës së Dytë Botërore. Me rastin e Ditës së Çlirimit, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, familjarë të dëshmorëve, si dhe qytetarë, nderuan kujtimin e dëshmorëve të Atdheut duke vendosur kurora pranë Monumentit “Nënë Shqipëri”, në Varrezat e Dëshmorëve.

Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen më të madhe përpara kujtimit të heronjve të Shqipërisë, të cilët dhanë jetën për të mbrojtur vendin nga pushtuesit nazifashistë. Nën tingujt e himnit kombëtar, zyrtarët e lartë të shtetit nderuan sakrificën e dëshmorëve. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët u radhitën në krah të koalicionit antifashist dhe zhvilluan luftë çlirimtare.

Kryeministri Edi Rama uroi mëngjesin e sotëm 29 Nëntorin, ditën e çlirimit të atdheut nga pushtuesit nazifashistë. Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë uroi gjithashtu shqiptarët me rastin e 29 Nëntorit, Ditës së Çlirimit të atdheut. Në një postim në rrjetet sociale, selia diplomatike e Uashingtonit u shpreh “ky rast shërben si  mundësi për të kremtuar një moment të lavdishëm të historisë shqiptare”.

Në mesazhin e urimit të ambasadës amerikane thuhet:

Shqipëria feston 78-vjetorin e çlirimit nga pushtimi nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ky rast shërben si kujtesë për sakrificat e popullit shqiptar dhe si një mundësi për të kremtuar një moment të lavdishëm të historisë shqiptare. Gëzuar Festën e Çlirimit, Shqipëri!

29 Nëntori është dita e mirënjohjes ndaj çlirimtarëve dhe e nderimit të dëshmorëve të Lirisë. Drejtuesit më të lartë të shtetit janë mes atyre që bëjnë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve ku përulen me respekt në kujtim të të rënëve që dhanë jetën për çlirimin e vendit. Në Luftën e Dytë Botërore, shqiptarët u bashkuan rreth vlerave të antifashizmit dhe të lirisë, vlera të cilat qëndrojnë në themelet e Shqipërisë demokratike.