Bota

Dita e dytë e samitit të BE-së në Bruksel, fokusi ekonomia!

Sot në ditën e dytë dhe të fundit të samitit të Bashkimit Europian në Bruksel, liderët e Unionit kanë në fokus ekonominë e Bllokut, të goditur nga inflacioni. Në sfondin e luftës ruse në Ukrainë, inflacioni po rritet në një nivel rekord prej 8,1% në zonën euro, i nxitur nga rritja e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, sipas raporteve më të fundit të Eurostat-it.

Presidentja e Bankës Qendrore Europiane BQE, Christine Lagarde do të bashkohet me udhëheqësit e Unionit, për të diskutuar mënyrën lidhur me trajtimin e problemit në rritje të çmimit të energjisë, në disa vende. BQE-ja ka njoftuar se në korrik, për herë të parë, në më shumë se një dekadë do të rritet norma e interesit, në një përpjekje për të ndalur normat e paprecedenta të inflacionit.

Ndërkohë, duket se ka një ndjesi të veçantë, brenda e jashtë Brukselit, se Bllokut po i mbarojnë idetë e reja për të ndëshkuar Moskën. Në lidhje me sanksionet, lodhja është e dukshme në korridoret e pushtetit të kryeqendrës europiane. Po ashtu, nuk mungojnë thirrjet për të rritur më tej mbështetjen ushtarake për Kievin e për t’i dhënë Ukrainës një tjetër paketë ndihme financiare, deri në 9 miliard euro.

Faza tjetër e samitit dyditor në Bruksel, pason vendimin e djeshëm për t’i dhënë Ukrainës dhe Moldavisë statusin zyrtar si kandidatë për anëtarësim në Bashkimin Europian. Vendimi i liderëve të Bllokut, i konsideruar “historik” nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, vjen pas disa muajsh lobimi nga Ukraina e shkatërruar nga lufta, si dhe nga Moldavia fqinje.

Para përfundimit të samitit më vonë gjatë ditës, në fokus janë edhe çështje që nuk lidhen me Rusinë e Ukrainën. Liderët e BE-së pritet të miratojnë përdorimin e monedhës së përbashkët euro nga Kroacia, prej vitit 2023 e do të diskutojnë sesi sistemi bankar i Bllokut mund të bëhet më i qëndrueshëm ndaj krizës.