Aktualitet Last Night of the Year - News Sociale

Dita e fundit e 2022 kthen sytë nga të gjitha ngjarjet më kulminante të vitit!

Vetëm pak orë na ndajnë nga 2023, por për të kapërcyer në të ardhmen si fillim duhet të reflektojmë mbi të shkuarën. E çfarë viti lamë pas? 2022-shi ishtë viti i revolucioneve të vogla e të mëdha, debateve që arritën deri në luftë ose atyre që u mbyllën mbas përfundimit të Big Brother, ishte viti ku kërkuam dashuri të shëndetshme po dhe filluam të jetojmë shëndetshëm pas rritjes së naftës, ishte viti ku bota humbi figura të mëdha por ne filluam të besojmë në fitore të vogla…ishte viti ku ndoshta jo të gjithë gjetëm dashurinë… po filluam të kuptojmë sa e rëndësishme është të duam veten! Ishte një vit ndryshe që si ktë që vjen e pritëm me shpresa të mëdha por duke qenë se vetë ne jemi ndryshe ky vit mund të ketë qenë më i bukuri për disa e për të tjerë më i dhimbshmi…por ky është momenti për të reflektuar pasi si në gëzim e si në trishtim ne mësojmë, rritemi e zhvillohemi…e si me çdo ndërrim vitesh…hyjmë në një etapë të re të jetës tonë….

Duhet të ndodhë një tragjedi mbarëkombëtare për të bashkuar gjithë popullsinë e botës e cila në nëntor të këtij viti shënoi plot 8 bilion. Në 2020 të gjithë u sensibilizuam dhe u ndjemë të bashkuar kundër luftës ndaj Covid-it. Në 2021 gjetëm një kurë për këtë virus e rendëm drejt qendrave të vaksinimit, disa menjëherë duke menduar se ja hodhëm atij virusi të mallkuar, e të tjerë duke provuar kurat popullore të sygjeruara nga doktori Aqifi i cili me anë të hudhrës mjekon 267 sëmundje kronike. Do ju dukem “sadiste” për këtë që do them, por mezi pres të shkundemi nga një tragjedi internacionale. Më duket sikur i vetmi moment ku rikujtohemi mbi rëndësinë e jetës, mbi rëndësinë e dashurisë është kur përballemi një sfidë më të madhe se vetë ne. E kjo shkundja sikur na bën më njerëzor, ama ky njerzillik nuk zgjat shumë! Pas një shoku si ai i Covid-it u kthjelluam për pak, po siç ndodh pas çdo lloj reflektimi madhor çuditërisht kthehemi pas tek instiktet tona primitive, të cilat në kohërat kapitaliste ku jetojmë janë instikte konsumatore. Në 2022 çdo njeri anembanë globit u bashkua për një qëllim të vetëm…. Blerjen e iPhonit të ri i cili e shndërroi Apple në kompaninë e pare në botë që bëri 3 trillion dollarë. Rendëm drejt dyqaneve të telefonave sikur do zgjidhnim ngrohjen globale e do shpëtonim çdo kafshë që rrezikon zhdukjen…Disa e blenë menjëherë e të tjerë me këste heqin ¼ e rrogës çdo muaj për t’u dukur se janë pjesë e standartit, standart i cili çdo vit updatetohet sa herë del iPhoni i ri në shitje… mendoj, madje kot po them mendoj, jam e sigurt se frika është ajo çka na shtyn drejt veprimeve të nxituara si blerja e asaj shtëpisë me të madhe, ose asaj makinës luksoze… është ajo frika njerëzore se nëse dikush sheh përtej pronave tona materiale do shohi lakuriqësinë tonë shpirtërore…dhe le ta pranojmë e marrtë dreqi… kemi frikë se kur dikush të na shohë përtej fasadës materiale me të cilën rrethojmë veten atyre s’do iu pëlqejë ajo çka shohin…

Është qesharake të mendosh se edhe pse vetëm disa orë na ndajnë nga 2023-shi, pabarazia gjinore është një fenomen që ndihet jo vetëm në disfata por edhe në arritje. Për herë të parë në 2022 kemi një grua arbitër në Kupën Botërore, Stephanie Frappart, e cila drejtoi një ndeshje futbolli mes Costa Rica dhe Germany. Por zhvillime të tilla nuk ndodhën vetëm në Botën e Sportit, 3 gra u bënë pjesë të Komitetit të Vatikanit duke u bërë këshilltare të Papa Françeskut, edhe për cudinë e secilit prej nesh, në Egjipt një grua gjithashtu u bë  këshilltare e Imamit të xhamisë Al Azhar, event i cili shënoi herën e parë ku një grua ka një pozicion këshillues në 1000 vjet të historisë së institucionit Islamik. Fatkeqësisht ne shqiptarët kemi një zakon të kujtohemi pas pilafit për të promvuar talentet tona, siç ndodhi me Luiza Gegën e cila trajnohej nga liqeni në një kohë ku askush se dinte se kush ishte (më saktë s’donte t’ia dinte), por në momentin që u shpall Kampione e Europës në 300 metra me pengesa të gjithë e hodhëm në story në Instagram me nëntitullin “Jam krenar se jam shqiptar”. Sikur të ishim kujtuar pak para pilafit për këto femra kampione ndoshta do kishim me qindra Luiza Gega që na nderojnë nëpër botë po për momentin kemi kaluar te pjata e groshës e kushedi kur kujtohemi për gratë tona shqiptare. Ama paçka mosvlerësimit, shtypjes, mungesës së respektit, pabarazisë, ne femrat kemi treguar se dimë të luftojmë dyfish më fort për t’i provuar botës se kush jemi… Siç thotë dhe Beyonce në albumin e saj “Renaissance” i cili e shndërroi në femrën e parë me 7 albume që arrijnë majat e klasifikimeve: “You Won’t break my soul”…

Në qoftë se në 2020 e deri në 2021 u karantinuam për shkak të Covidit në 2022 u karantinuam çdo të premte me dëshirën tonë për të parë “Big Brother VIP”. Ky reality show përçau familje ku çdo fundjavë grupmosha të ndryshme me preferenca të ndryshme bindinin njëri tjetrin me argumenta mbi favoritët. Për mua personalisht “Big Brotheri” ishte një ‘guilty pleasure’, një nga ato kënaqësitë që të bën të ndihesh fajtore. Me dhe pa turp po e pranoj: finalja e “Big Brother VIP” më gjeti në Durrës në një lokal ku bëhej screening sikur të ishte finalja e botërorit. Në tavolinën përballë ishin ulur një grup vajzash të cilat duartrokisnin sa herë fliste Donaldi e nga gjysma mbrëmjes desh u zunë me karrige me tavolinën ngjitur që brohoriste për Ilirin. Me keqardhje më duhet të pranoj se atë mbrëmje kam dëgjuar duartrokitje 100 herë më të zjarrta se ato që kam dëgjuar nëpër shfaqje teatrale gjatë gjithë vitit por ky nuk është vetëm realiteti i hidhur shqiptar, por fenomen mbarëkombëtar ndaj nuk dua të gjej fajin tek ne.

Ama kuptova një gjë për shqiptarët gjatë gjithë maratonës së “Big Brotherit”… Një nga arsyet se pse u dashuruam me shtëpinë më të famshme në Shqipëri nuk ishte për shkak të konkurrentëve, por për shkak se për herë të parë mund të flisnim lirisht për të tjerët e për mënyrën si e jetojnë jetën pa u ndier fajtor…jo se jemi ndjerë ndonjeherë fajtor, se ne si popull e kemi më të lehtë të shohim qimen ke tjetri se traun te vetja por të paktën nuk na breu ndërgjegja kur folëm për ta siç na bren kur flasim për njerëz që njohim (gjithmonë flas për njerëzit që iu ka ngelur një copë ndërgjegje gjallë). Tani a e bëri për Borën a bëri për Triksën un nuk e di por “Hesht” është kënga e 19 ne “The Top List” e kaq shumë sa folëm për të, ta lëmë pak dhe Donaldin të flasë…kshu të këndojë.

2022 ishte viti ku më në fund filluam të bimë pak nga pesha, jo se u ndërgjegjësuam se për momentin e di që shumica prej jush po prisni të ikni në shtëpi tek gjeli i madhërishëm i Vitit të Ri, por sepse filluam të ecim për në punë. Dhe kjo nuk ndodhi sepse e duam trupin tonë por sepse nafta u bë më e shtrenjtë se grami floririt. Pasi kuptuam se paguajmë TVSH më shumë se çdo vend tjetër i rajonit (diku tek 50 lekë për litër) vendosëm të protestojmë vetëm për t’u përballur me kudërpërgjigjen e kryeministrit i cili tha “Protestë më të turpshme nuk kam parë”. Mesa duket të luftosh për të drejtat e tua qenka turp (çdo ditë e mësojmë nga një gjë të re). Po nuk u rrit vetëm nafta me gati 50%. Në nëntor u rrit dhe çmimi i energjisë elektrike për të gjitha ato familje që konsumonin mbi 800KWH, dhe qartazi vdekja e 67 vjeçares nga Fieri e cila ndërroi jetë e vetme nga acari pasi OSHEE i ndërpreu energjinë elektrike nuk ishte fenomen mjaftushëm sensibilizues për qeverinë tonë. Ah moj Shqipëri e bukur, sa shumë ta kanë futur!

Në shtator të 2022-shit u nda nga jeta monarkja e parë britanike e cila udhëhoqi për 70 vjet, Mbretëresha Elisabeth II. Edhe pse të jesh mbretëreshë e Anglisë të vë në qendër të vemendjes përgjatë gjithë jetës e të përball me komentet e çdo njeriu e mungesën e privatësisë, Elisabeta ishte e dashur nga gjithë kombi ndaj cdo anglez u bashkua për të përcjellë mbretëreshën për në banesën e fundit e më pas për të parë kurorëzimin e mbretit Charls i cili le ta themi…nuk është aq i dashur për publikun. Por më shumë se vetë britanikët, një tjetër minoritet u dërrmua me largimin e mbretëreshës…ata ishin emigrantët shqiptarë. Në të njëjtën mënyrë si amerikanët përdorin simbolet e vendosura tek dollari si inspirim për tu pasuruar, emigrantët shqiptarë përdorin mbretëreshën Elisabeth si emblema e qëllimit të tyre më të lartë “Pasurohu, ose vdis duke u munduar” (Get rich or die trying). Kryeministri britanik Rishi Sunak gjatë këtij viti e bëri të ditur se 1/3 e azilkërkuesve janë shqiptarë dhe njoftoi se do të merren masa si dhe do të vendosen specialist britanik në Rinas për të ndaluar emigrantët. Gjatë janar-gushtit të këtij viti kanë kërkuar azil mbi 5 mijë shqiptarë, ndërsa mijëra të tjerë ikin me kontrata pune, për bashkim familjar ose për studime. Por ka të tjerë të cilët rrezikojnë jetën duke ikur me gomone në Britani me shpresën se i pret një jetë e re. Disa duan që me mund të punojnë për të siguruar jetën e të tjerë gdhendin mbi damkën e shëmtuar që na ndjek kudo “Ju shqiptarët jeni kriminelë”. Më shumë u mërzitën emigrantët tanë për vdekjen e Elisabetës se për vdekjen e ekonomisë shqiptare. Vetëm gjatë këtij viti mund ta kem dëgjuar por dhe e kam përdorur shprehjen “Këtu është për të ikur natën” dhe e vërtetë e hidhur është se fajtorë për këtë realitet janë vetëm dy palë…po, njëra është qeveria ama tjetra jemi vetë ne. Qeveria pasi na vjedh, na shtyp, na shet, na abuzon por dhe ne. Nuk luftuam njëherë e marrtë e mira për vendin tonë, po skemi faj…. Po të panë te protesta rrezikon punën nesër…apo jo shokë e shoqe?

Në 24 shkurt të këtij viti Rusia pushtoi Ukrainën duke i vënë vulën debatit që filloi në 2014. Forcat ruse sulmuan 11 qytete duke përfshirë këtu dhe kryeqytetin Kiev. E gjithë bota u sensibilizua pasi pa filmimet drithëruese të qyteteve të shkatërruara e të ukrainasve të strehuar nëpër bodrume e metro. Gjatë 2022-shit afro 40 mijë civilë humbën jetën e rreth 100 mijë ushtarë ukrainas u shpallën të vdekur. Besoj se flas për të gjithë kur them se i kemi ndjekur me lot në sy zhvillimet e luftës gjatë këtij viti, e nuk dua të ripërsëris fakte sot… dua të reflektoj. Mendoj se në çdo luftë ka vetëm humbës. E them këtë pasi siç kanë ndërruar jetë 100 mijë ushtarë ukrainas, statistikat tregojnë se afro 100 mijë ushtarë rus janë shndërruar po ashtu në viktima lufte. E si për çudi janë gjithmonë popujt e pambrojtur, njerëzit e thjeshtë si unë e ti që sakrifikojnë veten për bindjet, tekat, egon e smirën e atyre që janë mbi. Me turp e them se 2022 ishte viti u ripërsëritëm luftën e mallkuar të shekullit të XX e me shpresë them: Qoftë viti i fundit ku nëna qajnë, fëmijë humbin prindër, prindër humbin fëmijë, popuj humbin njerëz e njerëz humbin humanitet. Siç ka thënë dhe shkrimtari H.G.Wells, po nuk i dhamë fund luftës, lufta do jetë fundi jonë….

Dikur ne përkufizoheshim nga muzika që dëgjonim, librat që lexonim, dhe nga njerëzit tek të cilët gjenim inspirim. Sot sekretet tona më të errëta i di ai drejtkëndëshi i zi që kemi në dorë dhe gjithë esenca e qënies tonë mund të bëhet publike nëse punonjësit e Google nxjerrin historinë e kërkimeve tona. Për shkak se Google e ruan privatësinë e klientëve të saj vendosi mos të na demaskojë individualisht por si grup, duke nxjerrë 10 lajmet më të kërkuara gjatë 2022-shit. Në vend të parë normalisht është Ukraina e ndjekur nga vdekja e mbretëreshës, rezultatet e zgjedhjeve, numrat e llotarisë powerball, monkeypox, uragani Ian, gjyqi i Johnny Depp, vrasja në shkollën e Teksasit, Will Smith në Oscars dhe ligji kundër abortit. Ndërsa njerëzit më të kërkuar në Google për këtë vit ishin Amber Heard dhe Johnny Depp pasi vetëm dy gjëra e bëjnë publikun anembanë të shkulë flokët…dasmat dhe divorcet. Po cfarë i bën shqiptarët të shkulin flokët? Kërkimet në Youtube treguan se “Big Brother VIP”, “Përputhen” dhe “Portokallia” janë ato çka e mbajnë popullin tonë gjallë por nuk mund të harrojmë përbërësin sekret… atë çka mban në balancë cdo shqiptar… pornon! Berati u shpall fitues për frustrim seksual pasi kërkonte kategorinë porno më shumë se çdo qytet tjetër. Pyes veten: kur dhe ku shohin beratsit porno? Se me gjithë ato dritare gjithmonë ke një palë sy që të ndjekin. Pas Beratit vinte Gjirokastra… mesa duket kta kanë filluar kursejnë edhe gratë e më pas vjen, Dibra, Lezha dhe Fieri. Ne të Tiranës kishim dalë të fundit se mesa duket ose bëjmë më shumë seks ose skemi kohë as për të parë porno…

Këto minuta në vijim dua t’ja dedikoj yjeve që u shuan këtë vit. Shqipëria humbi aktorin Enea Zhegu (të cilin ne e njohim si Tomka), aktorët Enver Hyseni dhe Kristaq Dhamo, regjisoren Atalanta Pasko, balerinët Ganimet Vendresha dhe Albert Janku, sportistë si Bujar Gogunja e Sulejman Maliqati, gazetarë si Miliam Krasniqi, piktorë si Sali Shijaku, ish presidentin Bujar Nishani si dhe violinistin Hetem Qerimaj. E gjithë bota vajtoi kur mësuam se yje si Kristie Alley (të cilën brezi im e dashuron nga filmi “Dëgjo kush Flet”) ose Olivia Newton John (sensacioni i muzikalit “Grease”) kishin ndërruar jetë. Artistë të dashur për publikun si Meatloaf, Coolio (të cilin e njohim nga hiti “Gangstas Paradise”), aktori i talentuar Ray Liotta, Takeoff, DJ Stephen ‘twitch’ Boss , Lelsie Jordan (ylli i serialit “Will & Grace”) si dhe Christie McVie (nga grupi Fleetwood Mac), gjithashtu u shuan këtë vit. Porsi yjet që vdesin po shkëlqimin e lënë pas dhe këta artistë e virtuozë kanë lënë me ne një copëz të vetes.

Jam e dyjëzuar! Teksa shkruaja “Last Night”-in doja të zgjidhja eventet më bombë të vitit dhe për një kohë të gjatë ngeca mes dy ngjarjesh… jam konfuze… kush ishte më ikonike…shpulla e Will Smith në Oscars apo grushti i Sali Berishës? Mesa duket në Amerikë e ha një shpullë kur flet për gruan e dikujt dhe e tepron ndërsa në Shqipëri duhet të kesh vrarë njerëz që të hash një grusht. Përpos shakasë, po e pranoj se isha në protestë (nuk jam nga ato që dua ta mbaj mirë me partinë dhe diktatorin tonë suprem), por as nuk jam me fosilet që kanë udhëhequr që para se të lindja. Jam treguar pak cinike gjatë këtij dy orëshi në radio, jo pa shkak, po se ndoshta si optimiste që jam besoj akoma tek forca fjalës. Kam studiuar jashtë po kam vendosur të kthehem ndoshta me atë shpresën e budallait për të ndryshuar një vend në pamje të parë të pashpresë. E them këtë pasi në protestën e 6 dhjetorit nga njëra anë e sheshit po performonim për të huajt si për t’i treguar se çdo gjë shkon mirë dhe nga ana tjetër po buçisnim në ulërima me shpresën se po ata të huaj teksa kalonin rrugës me makina do dëgjonin klithmat e popullit. Më vjen keq që mendojmë se do gjejmë shpëtim nga një palë e tretë se kjo tregon sa shumë kemi hequr dorë e se sa të pashpresë jemi. S’dua ta kthej në një reflektim politik se është gjëja e fundit që dua të bëj dhe se mendoj se s’kam nevojë t’iu rikujtoj në këtë ditë plot shpresë fundviti se çfarë traumash gjeneracionale vazhdojmë të përjetojmë edhe sot. E urrej atë shprehjen shpresa vdes e fundit po fatkeqësisht s’na paska ngelur gjë tjetër veçse të shpresojmë. Uroj që 2023 mos të jetë një tjetër vit ku ngremë sytë nga qielli duke pritur atë avionin shpëtues, po fillojmë të kuptojmë se shpëtimin e shumëpritur e kemi në pasqyrë e se ndryshimi fillon nga ne.

Në tetor të këtij viti Elon Musk bleu Twitter për 44 bilion dollarë. Pasi bëri një status metaforik ku shkruajti: “Zogu u lirua” (duke nënkuptuar logon e Twitterit) të gjithë menduam se tashmë do të kishte liri totale fjale dhe opinioni në platformë. Por nuk e prisnim se do të përballeshim me tërësisht të kundërtën. Elon pushoi më shumë se gjysmën e punonjësve të Twitter si dhe bllokoi llogaritë e Donald Trump (këtu mendoj se e ka të justifikuar), dhe të disa gazetarëve prominentë vetëm sepse mundej. Kot themi që liria e fjalës s’ka të paguar se mesa duket e paska një cmim. Po nëse liria e fjalës u limitua në Twitter, u “liruam” artistikisht. Pas atyre dy viteve për të cilat nuk duam të flasim të pandemisë, pamë një rikthim të koncerteve duke filluar nga Guns N’ Roses, Billie Eillish, Kings of Leon, Harry Styles, Elton John, etj. Nuk mund të lëmë pa përmendur koncertin e Dua Lipa-s në shesh si dhe shumë nga koncertet e Youth Capital që u bënë këtë vit pasi Tirana u shpall Kryqyteti i Rinisë për 2022. Tani që do fusnim pak duart te buxheti ne e dinim se po nuk pasuruam pak qeverinë nuk na ecën viti mbarë, por të paktën kësaj rradhe vodhëm buxhetin e Europës  e jo tonin e kërcyem e kënduam të gjithë bashkë aty te sheshi…

A mund të jem 100% e sinqertë me ju? E di që nuk i dëgjoj dot përgjigjet tuaja por po bëj sikur më thatë një ‘po’. 2022 ka qenë viti i manifestimit, largimit të njerëzve toksik nga jeta jonë e më vjen mirë që po shkojmë drejt një zhvillimi personal se po nuk emancipuam veten është e kotë të kemi shpresa tek shoqëria. Shprehja çdo korrësh do mbjellësh është e vjetër sa vetë koha por 2022 shënoi vitin ku filluam ta besojmë si të vërtetë e filluam të punojmë me veten. Më vjen mirë kur shoh se brezi im është spiritual në sensin e mirë të fjalës. Isha ulur në një kafe dhe pa dashur të përgjoj, përgjova bisedën mes dy vajzave diku tek 16 vjeçe. Njëra qante për tradhtinë e të dashurit të saj e tjetra i tha: ‘Nuk ke nevojë për njerëz toksik në jetën tënde’. 2022 ishte viti ku fjala ‘toksikllëk’ ishte kryefjalë. Dhe edhe pse jam një njeri që për 7 vite rresht çdo dimër ritakohet me ishin toksik mendoj se ka ardhur koha të largojmë njerëzit që na lëndojnë, që na bëjnë të ndihemi të vegjël dhe të pamjaftueshëm nga jeta jonë. Mbani përrreth vetëm njerëz që nxjerrin në pah anën tuaj më të mirë, e kuptoni se disa njerëz është më mirë t’i lëmë të shkojnë…Ah se harrova…ishi im më ka prezantuar me këngëtarin gjenial Paolo Nutini i cili me këngën “Radio” arriti vendin e 47-të në top list… Që sot e tutje zërin tim do e dëgjosh vetëm në Radio…

Republika Islamike e Iranit u përball me një sfidë të pashmangshme gjatë këtij viti. Vrasja e 22 vjeçares Mohsa Amini nga policia për shkak se nuk kishte vendosur hijabin (shaminë) siç duhej shërbeu si fitil që ndezi protestat të cilat shpërthyen në të gjithë vendin. Në shenjë revolte gratë anembanë globit vendosën të presin flokët në publik në shenjë solidariteti. Forcat iraniane vranë rreth 448 njerëz gjatë protestave dhe vetëm në dhjetor të këtij viti u shkarkua policia e moralitetit duke i dhënë një fund të hapur që më shumë ngjason me një zgjidhje të përkohshme. Por mosvendosja e hijabit në mënyrën e duhur nuk është e vemtja problematikë në shoqërinë iraniane. Gratë janë të limituara në shumë aspekte të jetës: ato nuk mund të shkojnë në stadium, nuk mund të kandidojnë për president, duhet të marrin leje nga bashkëshorti për të udhëtuar si dhe mund të pushohen nga puna nga vetë burri i tyre nëse ai mendon se ato po lënë pas dore punët në shtëpi. Nuk dua të flas për shtypjen e gjinisë femërore pasi e prekëm si koncept edhe më lart, por pa dashur të ofendoj besimet fetare: Ka ardhur koha të pranojmë se feja ka qenë pikënisja e çdo lufte botërore…e qoftë 2023-shi viti ku fillojmë të kuptojmë se përpara se të jemi të krishterë, mysliman e katolik jemi njerëz, e përpara se të jemi një bindje fetare… jemi njerëz të lirë me vullnet të lirë në një botë jo kaq të lirë.

Nëse Tirana u shpall Kryeqyteti i Rinisë për 2022-shin, Dubai u shpall kryeqyteti i Instagramit. Pas skandalit Porta Potty, vështirë të thuash Dubai pa menduar për m*t. S’lamë këngëtare e influencer pa sharë online sapo pamë që kanë postuar nga Emiratet e Bashkuara. Po ne shqiptarët flasim edhe aty ku s’ka gjë lëre mo të kemi “arsye”. Edhe kur gjeta një ofertë të lirë për Dubai m’u kthye shoqja ime dhe më tha: “Aman se çfarë nuk mendojnë njerëzit”. Në lidhje me fenomenin Porta Potty, nëse do jem e sinqertë dy opinionet e mia kontradiktojnë njëra tjetrën. Nga njëra anë më vjen keq që jetojmë në një botë ku duhet të dehumanizohesh në mënyrë që të mbijetosh, por po njësoj më vjen keq që përballemi çdo ditë me realitetin e shëmtuar se nëse do të realizosh ëndërrat e tua duhet të bësh ato kompromiset që nëse nuk i bën ti…ka plot të tjera që i bejnë….Ama di të them që Dubai u kancelua (një tjetër kryefjalë e 2022-shit, fjala anulim ose kancelim). Në Amerikë personazhe si Matt Damon, Ellen Degeneres, James Franco, James Corden, J.K Rowling, Amber Heard, Kanye West e Adam Levine u anuluan ktë vit për shkak të broçkullave që thonë ose budalliqeve që bëjnë. Por dhe ne anuluam ca nga tanët, si p.sh. liderin tonë spiritual Ermal Mamaqi ose humoristen Dea Michelle. Ama këtu te ne “çudia më e madhe tre ditë zgjat” dhe po t’i kesh punët mirë ta heq njollën partia.

Pa e kuptuar kemi mbërritur në fund dhe më duhet ta pranoj, data 31 është dita më e bukur e vitit besoj jo vetëm për mua por për të gjithë ne. Është dita ku vendosim ta rrethojmë veten me njerëzit që duam më fort dhe çuditërisht i lëmë pas ankesat e vitit që shkoi por me falenderim dhe mirënjohje kujtojme momentet më të bukura. Kjo është për ata që humbën diçka ose dikë këtë vit por fituan diçka tjetër. Është për njerëzit që u përballën me sfida, u rrëzuan por vendosën të ngriheshin. Është për të gjithë ata që dashuruan fort e ndoshta kjo dashuri s’ju kthye mbrapsht ose për ata që janë marrëzisht të dashuruar. Kjo është për njerëzit që në çfarëdolloj moshe mësojnë nga veprimet e tyre dhe vazhdojnë rriten. Kjo është për të gjithë ne që dita-ditës mësojmë të duam veten pasi nuk mund të duam askënd nëse si fillim nuk duam veten tonë. Urojmë që 2023 të plotësoj gjithcka zemra juaj kërkon.