Aktualitet

Dita e fundit e fushatës zgjedhore, incident në Maliq!

Incident në Maliq, në ditën e fundit të fushatës për zgjedhjet e 14 Majit. Deputeti i PD-së, Edmond Spaho u përplas me kryebashkiakun Gëzim Topçiun,  gjatë një takimi të tij me traktoristë të zonës së Vreshtasit, për të cilët Topçiu tha se do të raportonin problemet që kanë, që të bëhet regjistrimi për vendosjen e targave të mjeteve bujqësore.

Spaho, i cili pretendon se Topçiu po shfrytëzonte postin për fushatë, nisi të filmonte takimin. Menjëherë reagoi kryebashkiaku dhe banorët e pranishëm, që shtynë demokratin dhe i rrëzuan celularin. Në debat u përfshi dhe deputeti socialist i qarkut Korçë, Ilirjan Pendavinji.

Pjesë nga debati:

Spaho: Ky që shikoni është kryetari i bashkisë i cili ka mbledhur të gjithë traktorët, me premtimin dhe gënjeshtrën që do t’u japë targat.

Topçiu: Po ik, se nuk ka lezet kështu!

Spaho: Shikojeni këtë mashtrues në fushatë elektorale!

Pendavinji: Po mjaft, u bëre si adoleshent, mjaft!

Spaho: Ja edhe deputeti tjetër që ka ardhur për t’u vënë targat traktorëve. Shikoni kryetarin e bashkisë si mbledh vota.

Pas ngjarjes, Spaho dhe Topçiu i janë drejtuar Komisariatit për të bërë denoncime. Ndërkohë, në deklaratat që dhanë për gazetarët nuk kursyen akuzat ndaj njëri-tjetrit. Spaho deklaroi:

Në fushën e sportit të Vreshtasit u lajmëruan të mblidhen të gjithë traktoristët e Bashkisë Maliq, me gjoja regjistrimin që do t’iu bëhet për targat. Të gjithë traktorët u mblodhën, i mblodhi Gëzim Topçiu dhe u kërkoi të votojnë për të. Ky është një aktivitet që s’ka lidhje fare me bashkinë as me deputetin Ilir Pendavinji apo kryetarët e njësive administrative. Eshtë një aktivitet i palejuar që zhvillohet në kuadër të fushatës elektorale.

Unë i regjistrova dhe kryetarin e bashkisë Maliq e deputetin dhe më sulën nga mbrapa gjithë stafin e bashkisë për të më ofenduar, më rrëzuan telefonin nga dora kur po filmoja e më akuzonin se po fus përçarje mes njerëzve kur unë dokumentova një aktivitet të paligjshëm elektoral që bën gënjeshtari Gëzim Topçiu sepse në fund u tha që të hënën do të fillojnë regjistrimet. Nuk i takon bashkisë të merret me këtë punë, i takon Drejtorisë së Transportit.

Kryebashkiaku Topçiu:

Nuk e quaj tension sepse është absurde që një deputet i Parlamentit shqiptar të hyjë në një vend ku ne po punojmë me njerëzit. Eshtë një moment ku në fushatë elektorale kemi një problem me traktoristët, që prej kohësh kërkojnë t’u regjistrojnë mjetet dhe morëm shkas që zv/ministrja, Drejtori i Përgjithshëm i Transportit Rrugor do të regjistrojë mjetet me probleme, me dokumentacionin.

Ishte një apel për të gjithë, që të bëjnë një deklarim për problemet që kanë. Nuk u fol për vota, vota është e fshehtë. Secili mund të votojë për kë të dojë dhe kemi ndërhyrje. Si mund të ketë Parlamenti deputetë të tillë?

Njoftuam të gjitha njësitë administrative që kanë probleme me traktorët, të bëjnë vetëdeklarim çfarë ka mjeti i tyre dhe kaq!

Nuk i kam qejf incidentet, nuk jam pjesë e tyre. U bëj thirrje të gjithëve të jenë të qetë! Nuk më erdhi mirë kur njerëzit e morën mbrapsht deputetin në mes të sheshit, nuk shkon në Shqipëri, u bëj thirrje për qetësi! Le te votojnë për njeriun që punon!