Aktualitet

Dita e Rinisë, Meta në Qytet Studenti: Të rikthejmë demokracinë në vend

I pranishëm në Qytet Studenti, aty ku nisi Lëvizja Studentore, Presidenti Ilir Meta tha se 8 Dhjetori është dita për të vlerësuar Azem Hajdarin dhë të gjithë studentët. Sipas tij është koha që të rikthehet Shqipëria në shinat e vërteta të demokracisë.

“Është dita për të vlerësuar, në mënyrë të veçantë heroin e çmuar të Azem Hajdarit, por edhe të gjithë studentët e tjerë që dhanë jetën për lirinë dhe demokracinë, dhe njëkohësisht të gjitha ata që kurrë nuk i tradhëtuan idealet e dhjetorit, të pluralizmit, të demokracisë. Tani është kohë që ta rikthejmë Shqipërinë në shinat e vërteta të demokracisë, lirisë dhe të drejtave të njeriut”, tha Meta, teksa më parë vendosi lule te busti i Azem Hajdarit në Qytet Studenti.

Natën e 8 dhjetorit 1990, rreth 300 studentë nisën atë që më vonë u quajt Lëvizja Studentore ‘90. Të organizuar ata marshuan nga “Qyteti Studenti” drejt qendrës së Tiranës.

Atë natë, marshimi i tyre ndaloi mes “Qyteti Studenti” dhe bulevardit të Tiranës, pa mundur të kryqëzohej me rrugën e asnjë prej intelektualëve apo pedagogëve. Rradhët e tyre ishin shtuar minutë pas minute dhe turma kishte mbërritur deri në 1000 persona.

Lëvizja Studentore do të vijonte me organizime e protesta edhe në ditë te para të vitit 1991 deri në ditët e grevës së urisë, kulmuar mesditën e 20 shkurtit 1991, kur Studentët të mbështetur nga pedagogët dhe shumë qytetarë të Tiranës, zbarkuan në sheshin Skënderbej, duke rrëzuan përfundimisht diktaturën komuniste dhe duke sjellë për shqiptarët lirinë e munguar gjatë pothuaj gjysmë shekulli.