Bota

Dita e shumëpritur erdhi, Amerika hap kufijtë, heq ndalimin e udhëtimeve!

Shtetet e Bashkuara heqin kufizimet në udhëtime nga një listë e gjatë vendesh, përfshirë Meksikën, Kanadanë dhe pjesën më të madhe të Europës. Tashmë, Uashingtoni i lejon turistët të hyjnë në Amerikë dhe anëtarët e familjeve të ribashkohen, pas më shumë se një viti e gjysmë kufizimesh për shkak të pandemisë COVID-19. Autoritetet kanë vendosur të njohin vaksinat kundër koronavirusit, të miratuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për përdorim emergjent.

Nga sot, Amerika po pranon hyrjen e udhëtarëve plotësisht të vaksinuar në aeroporte dhe kufij tokësorë. Rregullat e reja lejojnë hyrjen në rrugë ajrore nëse udhëtari ka dëshmi të vaksinimit dhe një test negativ për COVID-19. Ata që hyjnë në rrugë tokësore nga Meksika dhe Kanadaja mjafton të tregojnë vaksinimin, por nuk kanë nevojë për test. Rikthimi i lëvizjes pritet të gjallërojë qendrat tregtare, restorantet dhe dyqanet në qytetet kufitare amerikane, të shkatërruara ekonomikisht nga mungesa e vizitorëve nga Meksika.

Linjat ajrore presin më shumë udhëtarë nga Europa dhe vendet e tjera. Të dhënat nga kompania e analitikës Cirium, tregojnë se po rrisin fluturimet mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, me 21% këtë muaj, krahasuar me të kaluarin. Ndryshimi pritet të ketë ndikim të thellë në kufijtë me Meksikën dhe Kanadanë, ku udhëtimi ishte mënyrë jetese derisa pandemia goditi Shtetet e Bashkuara dhe u ndaluan udhëtimet jothelbësore.

Në kufirin me Kanadanë, rivalitetet ndërkufitare të ekipeve të hokejit ishin tradita të komunitetit, por u përmbysën nga pandemia. Kishat me pjesëtarë në të dy anët e kufirit shpresojnë të presin ata që nuk i kanë parë gjatë mbylljes, për shkak të COVID-it. Të afërmit kanë humbur pushimet, ditëlindjet dhe funeralet ndërsa udhëtimet jothelbësore ajrore ishin të ndaluara. Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Shtetet e Bashkuara do të pranojnë udhëtarët që janë vaksinuar plotësisht me ndonjë nga vaksinat e miratuara për përdorim emergjent nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, jo vetëm ato që janë në përdorim në SHBA. Kjo do të thotë se vaksina AstraZeneca, që përdoret gjerësisht në Kanada do të pranohet.